Shtetet e Bashkuara i kanë sërish veto të martën një draft-rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për luftën Izrael-Hamas, duke bllokuar kështu kërkesën për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.
Njëkohësisht, SHBA-ja ka shtyrë këtë këshill me 15 anëtarë që të miratojë një armëpushim të përkohshëm, të lidhur me lirimin e pengjeve të mbajtura prej Hamasit.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Të martën, 13 anëtarë të këshillit kanë votuar në të mirë të draftit algjerian, ndërsa Britania ka abstenuar.
Kjo është hera e 3 që SHBA-ja përdor veton ndaj një rezolute të ngjashme, prej nisjes së luftimeve më 7 tetor të vitit të kaluar.
Lufta është nxitur prej Hamasit, pjesëtarët e të cilit kanë kryer sulme në zonën kufitare të Izraelit, duke lënë të vdekur 1.200 persona dhe duke marrë peng 240 të tjerë.
“Një votë në të mirë të këtij drafti është mbështetje për të drejtën palestineze për jetë. Në të kundërtën, është përkrahje për dhunën brutale dhe ndëshkimin kolektiv ndaj tyre”, ka thënë ambasadori i Algjerisë në OKB, Amar Bendjama, para votimit.
Ambasadorja e SHBA-së në këtë trup, Linda Thomas-Greenfield, ka dhënë shenja prej të shtunës që do të përdorë veton.
“Kërkesa për një armëpushim pa kushte, pa ndonjë marrëveshje që i kërkon Hamasit t’i lirojë pengjet, nuk do të rezultojë me paqe të qëndrueshme. Në fakt, mund t’i zgjasë luftimet në mes të Hamasit dhe Izraelit”, ka thënë Thomas-Greenfield.
Në rezolutën e hartuar prej Algjerisë, nuk është lidhur armëpushimi me lirim të pengjeve.
“Mesazhi dhënë sot Izraelit, me këtë veto, është që mund t’i vazhdojë vrasjet”, ka thënë i dërguari palestinez në OKB, Riyad Mansour.
Ambasadori izraelit në OKB Gilad Erdan, ka thënë se fjala armëpushim është përmendur “sikurse të ishte plumb argjendi, me një zgjidhje magjike për të gjitha problemet e rajonit”.
“Armëpushimi mundëson një gjë, dhe vetëm një gjë, mbijetesën e Hamasit”, ka thënë Erdan në këshill.
Autoritetet shëndetësore në Gazë kanë thënë se rreth 29.000 palestinezë janë vrarë prej nisjes së ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në Gazë, shkruan REL.
Ushtria izraelite, në anën tjetër, fajëson Hamasin për vdekjet, duke thënë se po operon në zonat e banuara me civilë.