Analisti Ylli Hoxha ka thënë se Qeveria e Kosovës javëve në vijim do të përballet me një presion të shtuar nga ndërkombëtarët në mënyrë që të fillojë ta zbatojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Në emisionin ku po diskutohet për raportet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve dhe vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit, Hoxha ka thënë se çështja e dinarit nuk është thelbi i problemit.
“Qeveria e Kosovës në këto javë do të jetë në thumb të presionit të jashtëzakonshëm që Asociacionin të fillojë ta zbatojë unilateralisht. Konsideroj që dinari nuk është thelbi i problemit, por thelbi i problemit është tjetër kah. Deshifrohet nga takimi Rama-Blinken në formulimin e Ramës, i cili thotë se nga Kosova duhet t’i implementojë zotimet e veta qoftë edhe unilateralisht. Kjo është fjalia thelbësore me të cilin përshkruhet problemi”, tha ai.
Sulmi që i është bërë vendimit të BQK-së, sipas analisti Hoxha, ka qenë në masë të madhe prej ambasadorëve.
“A është ky vendim i duhur… është gjykuar pse nuk keni treguar që pensionet mund të rrezikohen nga kjo… e kanë sulmuar në procedurë vendimin. Tërheqja e BQK-së ka qenë plotësim i asaj kërkese, mbrojtje prej atij sulmi që ka ndodhur, por jo edhe plotësim i krejt kërkesës së ndërkombëtarëve lidhur me vendimin”.
Bashkësia ndërkombëtare e cila është e etur për një sukses në raport me Serbinë, sipas Hoxhës, do të bëjë në këto javë presion ndaj Kosovës që të ecë tutje me zotimet e veta, shkruan Dukagjini..
“Në mënyrë që të lehtësohet sadopak marrëdhënia e saj me Serbinë me shpresën që Serbia të pranojë në fund gjitha aranzhmanin që ia kërkojnë rreth Kosovës”, shtoi më tej ai.