Luigj Gurakuqi ka lindur në Shkodër më 19 shkurt 1879 ndërsa u nda nga jeta më 2 mars 1925 në Bari të Italisë, përcjell InLajmi.
Gurakuqi ishte veprimtar i çështjes kombëtare, radhitës dhe nënshkrues i dokumentit të shpalljes së pavarësisë, njeri i letrave, arsimtar dhe personazh i politikës shqiptare çerekun e parë të shekullit 20.
Është një nga personalitetet më të shquara të levizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë.
Kur ishte 20 vjeç u bë pjesë e shoqërisë “Bashkimi” të Abat Doçit, ku ishte i vetmi anëtar civil. Ngatërresën e parë me autoritetet turke e pati më 1904, për këtë shkak më 1905 u shtrëngua me marrë malet për t’i shpëtuar ndjekjeve.
Më 1907 ka qenë sekretar i Don Aladro Kastriotit, pretendent i fronit shqiptar. Me shpalljen e Kushtetutës në korrik 1908 u kthye në vendlindje, meqë me Hyrrijetin u dha një amnisti. U bë pjesë e klubit “Gjuha shqipe” ku vepronin Logoreci, Marubi dhe Riza Dani. Në nëntor mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Bashkë me Fishtën ishte përfaqësues i “Bashkimi”-t, me Logorecin kishin mandat të përfaqsonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat të përfaqsonte arbëreshët e Italisë.
Shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve. Në tetor të 1909 u emërua drejtor i Normales që u hap në Elbasan, ku ndihmoi për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentat e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve.
Detyrohet me ikë prej Elbasanit me Aqif pashë Elbasanin. Në prill 1911 mori pjesë në kryengritjen e Mbishkodrës dhe së bashku me Ismail Qemalin hartoi Memorandumin e Greçës. Më 1912 zhvilloi një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në Toskëri dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës.
Shoqëroi Ismail Qemalin në mbledhjen e Bukureshtit, dhe më tejnë Vienë. Me vaporrin e dhënë nga austro-hungarezët zbritën në Durrës më 24 nëntor në orën 4 mbasdite, u nisën të nesërmen me 25. Një natë fjetën në Çermë tek Dervish bej Biçakçiu, dhe një natë në Fier tek Omer pashë Vrioni. Në Vlorë mbërritën më 27 nëntor në darkë.
Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës u zgjodh Ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin.
Me Luftën I Botërore Shkodra pushtohet nga ushtria malazeze, Gurakuqi u internua në Podgoricë nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916. Gjatë pushtimit austro-hungarez, u caktua drejtor i përgjithshëm i Arsimit nga autoritetet e tyre. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916, i çmuar nga akademiku Radomir Nachtingall.
Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit ku përfaqësoi Shkodrën dhe Mirditën, u emërua zëvendës i dr. Turtullit në ministrinë e Arsimit të kabinetit Përmeti. Që në mbledhjen e parë të Kongresit, më 1918, L.Gurakuqi “âsht kundër që në një mbledhje kombëtare të përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman”, kërkon që fjalë të tilla të jenë të ndaluara dhe shton se “…çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni duhet të zgjidhet mbas formulës: “Feja e lirë në shtet të lirë”.
I ngarkuar nga kjo qeveri si anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris ku qendroi 15 muaj. Çdo shkresë e përdorur nga delegacioni u shkrua nga duart e tij e të Mustafa Merlikës. /InLajmi/