Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në seancën solemne e cila po mbahet për nder të 16 vjetorit të pavarësisë, ka uruar të gjithë në emër të LDK-së për këtë ditë të shënuar.
Abdixhiku tha se në këtë ditë e datë historike, kujtojmë dhe nderojmë gjithë rrugëtimin tonë kombëtar.
“Prandaj sot, në këtë ditë madhështore, ne kujtojmë me nderim e mirënjohje, lëvizjen më të madhe shqiptare në Kosovë, atë për liri, për pavarësi e për demokraci. Prandaj sot i falënderojmë të gjithë ata aktivistë e vullnetarë, që mirëmbajtën jetën tonë institucionale gjatë viteve të 90-ta dhe i dhanë shpirt e nxitje lëvizjes sonë”, tha Abdixhiku.
Ai para deputetëve ka përmendur edhe kontributin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, UÇK-së dhe familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.
“Në mënyrë të veçantë, e nderojmë me vlerësim të epërm, prijësin e rrugës sonë, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Presidentin Historik të vendit tonë, Dr. Ibrahim Rugovën, vizioni i të cilit, i artikuluar me mençuritë pashoq, në fillim të viteve të 90-ta, u bë realitet në vitin 1999, kur bota u bashkua me ne, dhe në vitin 2008, kur përsëri ishte me ne, ditën që shpallën pavarësinë e vendit tonë, për të qëndruar përkrah nesh përgjatë rrugëtimit tonë të derisotshëm. Shprehim mirënjohjen tonë të thellë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e Jasharajve”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së tha se e shkuara e Kosovës, është e lavdishme dhe e papërsëritshme, dhe tha se Kosova është e përhershme dhe e pavdekshme.
“Rrugëtimi ynë si shtet krenar, me njerëz të jashtëzakonshëm e të ardhme të ndritshme do të vazhdojë. Sepse ky rrugëtim s’ka kthim mbrapa. Sepse Kosova, atdheu ynë, është i përhershëm. Sepse Republika është e përhershme dhe e pavdekshme”, deklaroi ai.
Kreu i LDK-së, në fjalën e tij e ka cituar Presidentin Historik, Ibrahim Rugovën, i cili kishte thënë se “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.
“Shtëpia nuk mbahet pa miq, nuk mbahej dje, s’mbahet sot, s’do të mbahet as nesër”, deklaroi Abdixhiku.
“Sikurse liria, edhe aleancat tonë nuk trashëgohen, ato fitohen, mbrohen, e dorëzohen tek brezat e tjerë. Si gjeneratë politike e sotme, e kemi për obligim, jo si borxh detyrimi por si sjellje fisnike, që këto aleanca t’ua mësijmë breznive që vijnë”, tha kreu i LDK’së.
“Aleatëve tanë që edhe sot na qëndrojnë në këtë shtëpi të madhe të demokracisë dhe shpalljes së pavarësisë u shtrijmë dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit. Le të punojmë së bashku për një Kosovë që ne e ëndërrojmë bashkarisht”, tha ai, shkruan Reporteri.net.
“Republika e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran u bë falë unitetit tonë të brendshëm, lëvizjes paqësore dhe luftës çlirimtare, si dhe mbështetjes ushtarake dhe diplomatike nga jashtë. U bë sepse treguam dhe dëshmuam kulturë të brendshme politike, dhamë të gjithë potencialin tonë kombëtar dhe krijuam ura bashkëpunimi mes vete e aleatëve, prandaj edhe kapërcyem sfida të pakapërcyeshme më parë”, deklaroi ai.