Mishi i viçit është një produkt që përdoret shpesh në kuzhinën e amvisave shqiptare.
Duke qenë se përmban një sasi të lartë vlerash ushqimore, mishi shndërron çdo pjatë në një burim energjie.
Tani sjellim një recetë të veçantë të përgatitjes së tij, e kështu ju mund të provoni diçka të shijshme e të shëndetshme.
Mishi i viçit i përgatitur me qumësht, është një recetë që mund të qëndrojë dhe si pjatë më vete, por dhe mund të kombinohet me gatime të tjera.
Përbërësit
1 kg mish viçi i ndarë në copa të vogla
4 lugë vaj ulliri
2 thelpinj hudhër të grirë
2 lugë majdanoz i grirë
Piper i bluar
Kripë
1 gotë qumësht
Gjysmë gote me lëng mishi
Përgatitja
Si fillim pastroni copat e mishit në mënyrë që të mos kenë dhjamëra.
Në një tenxhere të thellë shtoni vajin e ullirit dhe thelpinjtë e hudhrës.
Këtë tenxhere vendoseni në zjarr të avashtë, në mënyrë që vaji të mos digjet.
Pasi të keni shpëlarë copat e mishit, shtojini në tenxhere për t’u skuqur lehtë.
Ju sugjerojmë që të mos i shtoni ujë, pasi mishi duhet të ziejë me lëngun e tij.
Marinojeni me kripë dhe piper, sasia e të cilëve është sipas dëshirës.
Kur mishi të ketë marrë pak shije, shtoni qumështin dhe lëngun e mishit, në pamundësi të së cilit mund të përdorni edhe thjesht ujë.
Diçka e tillë do ta lejojë mishin të përthithë erëzat që nevojiten në recetë.
Kini kujdes pasi copat e mishit nuk duhen të mbulohen nga lëngu i tyre.
Mbulojeni pjesërisht me kapak dhe ziejeni në zjarr të ngadaltë, duke e përzierë shpesh, pasi qumështi tenton të ngjitet.
Kur salca të jetë mpiksur, do të jetë formuar një krem i dendur, në këtë moment shtoni majdanozin e grirë hollë.
Shërbeheni të ngrohtë në një pjatancë duke e spërkatur me hudhra të shtypura.
Kjo pjatë është perfekte për ta shoqëruar me oriz, sallata me perime të stinës si dhe me perime të pjekura në furrë.