Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Kosova duhet të dalë nga loja e Serbisë se kush e ka fajin.
Ai tha se Kosova duhet të tregohet e vetëdijshme për barrën e përgjegjësisë që ka si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare.
“Thelbi i gabimit strategjik që bëjnë të gjithë ata që mendojnë se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe shtetnjohja përfundimtare e Kosovës do të vijnë përmes një procesi ku Kosova do bëjë garë me Serbinë se kush e ka më shumë fajin. Jo, në këndvështrimin tim dhe unë këtë e kam thënë gjithmonë, qasja jonë strategjike e shqiptarëve dhe në këtë rast flasim për Kosovën, por mendoj që kështu është edhe për Shqipërinë dhe kështu duhet të jetë për të gjithë shqiptarët, nuk është që të fajësojnë të tjerët, apo të hyjmë në lojën e fajësimit të njëri-tjetrit në sensin ‘jo shiko, dakord, ne jemi mbase këtë, po shiko ata’. Ne nuk kemi punë fare me ata, ne këto gjëra i bëjmë për veten tonë, e Kosova për veten e saj duhet të shkëlqejë në këtë proces. Kosova, për veten e saj duhet të tregojë ndërkombëtarisht një qenie e cila është plotësisht e vetëdijshme për barrën e flamurit që ka, për barrën e Kushtetutës që ka, për barrën e përgjegjësisë që ka, si një aktor i ri, si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare. Nuk është Serbia etaloni dhe nuk është Serbia standardi dhe nuk është Serbia pika e referimit”,tha Rama.
Ai tha se po të ishte vetë në këtë proces, do t’i kishte përmbushur të gjitha detyrimet ndërkombëtare, ku më pas Serbinë do ua kishte lënë në dorë të tjerëve që të merreshin me të.
“Unë e kam thënë kohë më parë, në rast se do të ishte për mua unë marrëveshjen do ta kisha firmosur në mënyrë të njëanshme, duke i përmbushur të gjitha detyrimet e mia në raport me këtë përpjekje për subjektivitet të plotë ndërkombëtar dhe duke ia lënë pastaj Serbinë në dorë tjerëve që të merreshin me të dhe jo të rrija unë e të merreshin me mua gjatë gjithë kohës, ‘pse e bën këtë, pse s’bën atë, e tjerë’”, tha Rama.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të krahasohet fare me Serbinë, por që duhet të mendojë për gjeneratën tjetër, shkruan ATV.
“Duhet të nxitojmë e të bëjë ç’është e mundur që të bëhet e denjët për gjeneratën tjetër si një shtet i njohur nga të tërë dhe për këtë mendoj që në politikën ndërkombëtare dhe në arenën ndërkombëtare, në kushtet e sotme, për vendet si ne, duke bërë të keqin, nuk fiton asgjë, dhe bërë të mirin, mund të fitosh diçka”, tha Rama.