David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po “e ndihmojnë Serbinë” dhe “po bëjnë që të gjithë të harrojnë për Banjskën”.
Kanin i referohet vendimit që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, si dhe atij për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë”, thotë Kanin në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Një ditë më herët, ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se Qeveria e Kosovës po rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara me vendimin e saj për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb.
Kanin thotë se kjo “do të thoshte shumë, pasi SHBA-ja është mbrojtëse e Kosovës”.
Ai nuk e përjashton mundësinë e sanksioneve, por thekson se SHBA-ja “nuk do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën”.
Kanin thotë se Kosova do të duhej ta shtynte sa më shumë që është e mundur zbatimin e vendimit për dinarin, ose ta revokonte tërësisht.
I pyetur se si e shef vendimin për ndalimin e dinarit serb, Kanin tha se vendimi bazohet kryesisht në audiencën e tij vendase.
“Vendimi bazohet kryesisht në audiencën e tij vendase. Kurti këmbëngul se bën hapa në favor të sovranitetit të Kosovës. Ai beson se dialogu nuk shkon në favor të tij dhe përpiqet t’i nënshtrojë serbët në veri (të Kosovës). Por, nuk ka funksionuar me kryetarët (shqiptarë të komunave në veri) dhe nuk do të funksionojë as me këtë. Për audiencën e tij të brendshme, ai e dallon veten nga kundërshtarët e tij, të cilët shihen si më të lakueshëm ndaj presionit perëndimor.
Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me deklaratën e ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se Qeveria e Kosovës, me këtë vendim, e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara, Kanin tha se ajo që ndodhë në politikën e Kosovës ka rëndësi për audiencën e brendshme, por situata ndërkombëtare është komplekse.
“Sigurisht, por çfarë do të bëjmë për këtë? Ne e duam Kurtin jashtë, ka kohë që e kemi bërë të qartë. Nuk mendoj se është veçanërisht e rëndësishme retorika e O’Brienit. Ajo që ndodh në politikën e Kosovës ka rëndësi për audiencën e brendshme, por situata ndërkombëtare është shumë më komplekse.
I pyetur se pse një reagim kaq i fuqishëm i SHBA-së ndaj vendimeve të Kosovës, Kanin tha se është një tjetër dëshmi e antipatisë sonë ndaj Kurtit.
“Është një tjetër dëshmi e antipatisë sonë ndaj Kurtit, e dëshirës sonë që ai të jetë jashtë. Mesazhi ynë për Kosovën është se partneriteti ynë kërcënohet nga veprimet e ndryshme që ai ndërmerr. E kemi pasur të njëjtën ndjenjë kur i ka detyruar kryetarët shqiptarë të komunave të vendosen në veri.Por, kini parasysh kontekstin e saj, Shtetet e Bashkuara dhe evropianët janë tërësisht të fokusuar në Gazë, në Ukrainë dhe në një sërë problemesh me Kinën. Gjëja e fundit që dëshiron ndonjë ndërkombëtar, janë telashet në Ballkan. Amerikanët nuk duan që Kurti të bëjë gjëra që nxisin bela në një rajon, që Perëndimi e do vërtet të qetë, derisa merret me gjithçka tjetër që po ndodh në botë”, tha Kanin.
I pyetur se cilat do të jenë pasojat për të cilat SHBA është këmbëngulëse Kanin tha se mund të ketë sanksione.
“Mund të ndërmarrin sanksione, mund të vazhdojnë të bëjnë zhurmë. Nuk e di. Ata po e shfaqin pakënaqësinë. Presioni retorik do të vazhdojë, por, e përsëris, fokusi supozoj se është diku tjetër”, tha Kanin.
Ndërkohë është pyetur edhe se çfarë do të thoshte për Kosovën humbja e partneritetit amerikan, Kanin u shpreh se kjo do të thotë shumë.
“Do të thoshte shumë pasi SHBA-ja është mbrojtëse e Kosovës. Nuk mendoj se do të shkojë aq larg dhe, thjesht, ta ndërpresë marrëdhënien me Kosovën. Nuk do ta tërheqim njohjen e sovranitetit të saj, nuk do t’i japim leje Serbisë për ta pushtuar. Nuk mendoj se pohimet e SHBA-së se është mbrojtëse e Kosovës, do të ndryshojnë. Mendoj se çështja më e rëndësishme, sinqerisht, është vështirësia që Kurti do të ketë me imponimin e masës për dinarin, ashtu siç e ka pasur me kryetarët e komunave”, tha Kanin.