Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka folur në lidhje me raportimet për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, raporton InLajmi.
Ai tha se nuk mendon që duhet për interesa kujtdo qofshin të degradohet puna e institucioneve tona të sigurisë e sidomos Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Tahiri tha se demantimi nga Republika e Maqedonisë së Veriut ishte për keqardhje për institucionet tona nëse vërtetë ka pasur një lajm të tillë apo jo.
“Unë nuk mendoi që duhet për interesa kujtdo qofshin të degradohet puna e institucioneve tona të sigurisë e sidomos Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, pra kur kemi një varg kërcënime të tilla, kemi një varg institucionesh të cilat duhet të inkuadrohen është Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit janë njerëz të cilët duhet të inkuadrohen që të marrin masa që të mos kemi kërcënime të tilla. Demantimi nga Republika e Maqedonisë së Veriut ishte për keqardhje për institucionet tona nëse vërtetë ka pasur një lajm të tillë apo jo”, deklaroi Tahiri.
Ai tutje tha se ndjejë dhe shprehi keqardhje për një kërcënim të tillë qoftë ndaj kryeministrit, qoftë ndaj cilido lider që ndodhë në vendin tonë.
Tahiri tha se edhe në të kaluarën jo shumë të largët, ka pasur kërcënime qoftë ndaj opozitës të cilët tashmë janë edhe në mbrojtje të Policisë së Kosovës.
“Kërcënime të tilla për presidentin Thaçi ose kryeministrin e asaj kohe ka pasur jashtëzakonisht shumë dhe profesionalizmi i institucioneve të Kosovës nuk është me rrjedh lajmin media, sepse atëherë nuk zbulohet asgjë. Ndjejë dhe shprehi keqardhje për një kërcënim të tillë qoftë ndaj kryeministrit, qoftë ndaj cilido lider që ndodhë në vendin tonë. Edhe në të kaluarën jo shumë të largët, ka pasur kërcënime qoftë ndaj opozitës të cilët tashmë janë edhe në mbrojtje të Policisë së Kosovës, por vërtetë është për keqardhje brenda një periudhe disa orëshe me u demantua nga një shtet i cili ishte mikpritës i vizitës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, andaj kjo është shumë e pahijshme”, tha Tahiri.