Ardita Sinani, këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e cila është pjesë e jetës politike në Preshevë ka shkruar për takimet me bashkëvepritmarët politikë, përcjell InLajmi.
Ajo nuk e la pa e akuzuar rëndë kundërshtarin politik Shqiprim Arifin që mban pozitën e kryetarit të e Komunës së Preshevës.
Sipas saj, Shqiprim Arifi është person i “shantazhuar nga partia e Aleksandër Vuçiqit”.
Sinani tha se nuk guxon në të ardhmen Presheva të jetë lajmi kryesor në mediat e Beogradit, aty ku kryetari i Komunës të akuzoj kryeministrin e Republikës së Kosovës. Preshevës i duhen udhëheqës që bashkërendojnë e bashkëpunojnë çdo herë me Shqipërinë e Kosovën. Nuk i duhen Preshevës udhëheqës të dirigjuar, shantazhuar e katapultuar nga SNS e Vuçiqi. Preshevës i duhet udhëheqje ku pushteti iu rikthehet qytetarëve.
Teksa ajo ka bërë fushatë për zgjedhjet lokale që mbahen në pranverë, ajo ka treguar se slogani i Partisë për Veprim Demokratik, pjesë e të cilët është ajo do të jetë “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”.
Postimi i plotë i saj:
Mbrëmë me Stacionin Hekurudhor përfunduam ciklin e takimeve falënderuese me bashkveprimtarët tanë për angazhimin e tyre në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit të vitit të kaluar.
Bashkë me kryetarin, Shaip Kamberin, kryetarin e degës në Bujanoc, Ragmi Mustafin, zëvendës kryetarin e degës në Preshevë, Ilir Zylfiu çdo ditë takuam themelues të partisë, gra, të rinjë e shumë qytetarë që iu bashkuan Partisë për Veprim Demokratik në këtë e në çdo betejë në të kaluarën.
E filluam me Rahovicën, si bashkësia më e madhe lokale në komunën tonë, e vazhduam me njësitë nga 1 deri 9 në qytetin e Preshevës, Raincën, Corroticën, Zhunicën, Miratocën, Tërnavën, Norçën, Gerajt, Leranin e Çukarkën dhe e përfunduam me Stacionin Hekurudhor.
Unë dhe kryetari e ndjemë obligim falënderimin e mirënjohjen ndaj çdo votuesi që në betejën e fundit zgjedhore, atë për zgjedhjet parlamentare, në të cilën qytetarët me vetëdije të madhe e maturi të jashtëzakonshme, dëshmuan pjekuri politike.
Sllogani jonë në këto zgjedhje ishte “BETEJA POLITIKE E SHQIPTARËVE VAZHDON”.
Këtë betejë dolëm fitimtarë, me betimin që betejat nga e hëna e 18 dhjetorit do të vazhdojnë…nuk do të ndalen për asnjë çast.
Për këtë, na obliguan mbi 13 mijë votat e shqiptarëve.
Pjekurinë më të madhe politike, votuesit shqiptarë e dëshmuan jo vetëm pse na besuan neve, por që u distancuan nga “lista” tjetër, të cilës i printe një subjekt që vitet e fundit u mundua që t’ua imponojë shqiptarëve narracionin politik që Kosova e Shqipëria nuk duhet të merren me Luginën.
Subjekt ky, që i priu edhe kontrabandimit të pushtetit në vitin 2022.
Subjekt ky, i cili po udhëheq pa legalitet e pa legjitimitet moral e politik me pushtetin lokal në Preshevë.
Në takimet e këtyre javëve që patëm jo vetëm në vendbanime të ndryshme, por edhe me shtresa të ndryshme të qytetarëve në Preshevë, në bashkëbisedim me ta ndjehej nevoja e ndryshimit të vërtetë.
E pikërisht kjo do të jetë BETEJA jonë e rradhës. Tashmë edhe me më shumë anëtarë e bashkveprimtarë të bashkuar e ribashkuar karvanit tonë të fitores.
Është dëshmuar në çdo periudhë të vështirë për shqiptarët, PVD ka qenë organizata e vetme politike që ka guxuar e ka pasur kurajon që t’iu prijë proceseve.
Aspak më e lehtë nuk është periudha në të cilën jemi.
Pushtet lokal i cili nuk ka interesin e qytetarëve, por kontratata nga të cilat do të pasurohen grupe të ngushta të interesit rreth pushtetit lokal.
Takimet falënderuese nga të cilat morëm mbështetjen maksimale, na obligojnë që BETEJËS për pushtetin lokal, të cilat do të jenë shumë afër, t’i marrim shumë seriozisht.
Ashtu siç ishte e rëndësishme çdo votë shqiptare më 17 dhjetor, edhe më e rëndësishme do të jetë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Nuk guxon në të ardhmen Presheva të jetë lajmi kryesor në mediat e Beogradit, aty ku kryetari i Komunës të akuzoj kryeministrin e Republikës së Kosovës.
Preshevës i duhen udhëheqës që bashkërendojnë e bashkëpunojnë çdo herë me Shqipërinë e Kosovën.
Nuk i duhen Preshevës udhëheqës të dirigjuar, shantazhuar e katapultuar nga SNS e Vuçiqi.
Preshevës i duhet udhëheqje ku pushteti iu rikthehet qytetarëve.
Andaj, Ju ftoj që çdo ditë e më shumë t’i bashkoheni shtëpisë më të madhe politike në Luginë, Partisë për Veprim Demokratik, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme lokale në Preshevë, lista jonë zgjedhore të cilës do t’i prij unë, të merr fitore plebishitare.
Na pret shumë angazhim, për të cilin jemi të gatshëm që t’iu mirëpresim me ide, plane e këshilla.
Për një Preshevë më të mirë!
Na prift e mbara!/InLajmi/