Anëtari i kryesisë së PDK-së, Muzafer Shala ka kritikuar Qeverinë dhe ministren Nagavci, për mos sqarimin e mënyrës së shpërndarjes së teksteve shkollore, ku sipas tij, ka qenë sulm i qëllimshëm.
Shala tha se ligji për tekste shkollore është tentuar të miratohet në Kuvend, por sipas Shalës, janë bërë 5 muaj e gjysmë që nuk është miratuar ligji.
“Për neve diçka ka qenë e palogjikshme, përderisa ka pasur shumë probleme sa i përket teksteve shkollore, ku viti shkollor ka filluar me shumë probleme pse ka ndodhë ajo, dhe pse është dashur me ndodhë. Ka edhe shumë probleme tjera qe po vazhdojnë me përcjell arsimimin në Kosovë. Mirëpo kjo me tekste ka qenë sikur me qenë sulm i qëllimshëm që i është bërë procesit mësimor dhe krijon një farë pasigurie te prindërit, nxënësit dhe qytetarët e Kosovës. Arsimi është diçka që e garanton një zhvillim qëndrueshëm ekonomik në të ardhmen, duke i pasur parasysh këto gjëra dhe duke pasur parasysh që ligji për tekste shkollore disa herë është tentua me u sjell në Kuvend, dhe asnjëherë nuk është sjell në Kuvend. Dhe sot e asaj dite jemi duke folur prej shtatorit që pesë muaj e gjysme me tekste shkollore ne dhe sot nuk e kemi ligjin për tekste shkollore”, deklaroi Shala.
Ai tutje shtoi se Qeveria Kurti dhe ministrja Nagavci, nuk po munden t`i përcjellin trendët që po ndodhin globalisht në sferën e teknologjisë dhe edukimit.
Ndryshe, ai u shpreh se ka informacione që ka keqpërdorime të mjeteve shkollore.
“Kjo qeveri dhe kjo ministre nuk janë duke mundur që t`i përcjellin edhe trendët të cilat po ndodhin globalisht në sferën e teknologjisë dhe edukimit. Ne natyrisht duhet me i pasur një pasqyrë të qartë një transparencë të saj. Ne kemi informacione që ka keqpërdorim të mjeteve, ma e keqja është se ne nuk e kemi një raport se a është përmirësua gjendja në arsim ne mendojmë që gjendja në arsim është duke shkuar sa më poshtë çdo ditë e më shumë”, tha ai.
Më tej, Shala shtoi se nxënësit tekstet e tyre duhet t`i kenë të bazuar në kompetenca, të jenë të rishikuara dhe të riorganizuara, shkruan TëVë1.
“Ne vetëm kemi një dyshim pse nuk po shkon ligji që të aprovohet, sepse kanë qenë disa gjëra interesante që i ka përmendur ministrja Nagavci, si platforma online. Tekstet shkollore ne pajtohemi që kanë shumë mangësi dhe tekstet shkollore kanë nevojë me u rishiku e me u riorganizu, mirëpo ne nuk po e shohim këtë lëvizje. Nëse e shohim ne nëpër shkolla, ne sot duhet t`i kemi platforma për menaxhimin e mësimdhënësve që ne nuk i kemi, sot ne duhet me i pas tekstet shkollore që duhet me i pas të bazuar në kompetenca se çfarë duhet me mësuar fëmijët”, shtoi Shala.