Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, tha se mbledhja e mbrëmshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte tërësisht e panevojshme për Kosovën, përcjell InLajmi.
Hoti ka theksuar se u dëshmua se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën.
Deputeti i LDK-së ka kritikuar kryeministrin Kurti për politikë të mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet.
Postimi i plotë i tij:
Ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit ishte totalisht i panevojshëm, joproduktiv dhe i dëmshëm për Kosovën. U dëshmua qartësisht se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën. Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit.
Kjo qaje e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet./InLajmi/