Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, njofton se Lëvizja Vetëvendosje refuzon themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar i cili do të kishte për objekt hetimin zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, përcjell InLajmi.
Tahiri tha se këtë fatkeqë kjo parti e shfrytëzoi për të ardhur në pushtet.
Tutje shton se në seancë të Kuvendit, përfundimisht u konfirmua se VV-ja nuk e do hetimin dhe të vërtetën për rastin Dehari.
Postimi i plotë i tij:
Kush do ta imagjinonte që Lëvizja Vetëvendosje do të refuzonte themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar i cili do të kishte për objekt hetimi zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, fatkeqësinë e të cilit kjo parti e shfrytëzoi për të ardhur në pushtet?!
Në seancën e sotme të Kuvendit, përfundimisht u konfirmua se VV-ja nuk e do hetimin dhe të vërtetën për rastin Dehari. Pikërisht kjo na bind se sa i domosdoshëm është ky hetim. Ky hetim patjetër do të ndodhë, por sot e pamë fytyrën e vërtetë dhe hipokrizinë e VV-së./InLajmi/