Ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, në një konferencë për media së bashku me zëvendësministrin Hysen Durmishi, ka deklaruar se ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën, raporton InLajmi.
Aliu tha se ky projekt ka qenë temë diskutimi në një kohë të gjatë, mbase projektet me te stërzgjatura të pasluftës në Kosovë.
“Sapo e nënshkruam kontratën për zgjerimin e rrugës që lidh Prishtinën me Mitrovicën. Projekt që ka qenë temë diskutimi në një kohë të gjatë, mbase projektet me te stërzgjatura të pasluftës në Kosovë. Jemi duke shkuar në përfundim të tij meqenëse arritëm sot ta nënshkruajmë kontratën”, deklaroi Aliu.
Tutje ministri ka folur edhe për financimin e këtij projekti, ku tha se për të janë ndarë 25 milionë euro, që janë marrë hua nga OPEC dhe në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim.
“Bëhet fjalë për një projekt 25 milionë euro, që është huamarrje nga fondi OPEC dhe në bashkëfinancimin me Fondin Saudit për Zhvillim, projekt ky që ka procedura të tjera dhe i njëjti ka qenë me autoritetet dhe faza e deritanishme që jemi detyruar ta shkëpusim para një viti. Tash një viti është shkëputur kontrata që është parapara nga një procedurë e auditimit, na zgjatën procedurat për një vit por presim që të kemi rezultate te mira”, ka thënë ai./InLajmi/