Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shkarkoi të hënën nënkryetaren nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu.
Këtë ai tha se e bëri për shkak të ngecjeve në fushën e digjitalizimit, për çka ishte e ngarkuar ajo.
“Kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu. Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësojë e modernizojë institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znjsh. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, kishte njoftuar Përparim Rama.
Përpos nënkryetares, ai shkarkoi edhe disa drejtorë të drejtorive, të gjithë nga radhët e PDK-së.
Por, për të gjitha këto shkarkime ende nuk ka pasur veprime nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ka qenë nënkryetarja e partisë, Vlora Çitaku, e cila përmes një postimi në Facebook, pas shkarkimit të Sahatçiut ka thënë se Përparim Ramës do t’ia japin përgjigjen e merituar zyrtarisht.
Megjithatë, që nga e hëna nuk ka pasur një përgjigje zyrtare nga kjo parti.
Gazeta Blic ka tentuar të marrë një qëndrim nga zyrtarë të partisë, por që asnjëri nuk janë përgjigjur.
Thirrjeve e as mesazheve nuk i është përgjigjur nënkryetarja Donjeta Sahatçiu, drejtori i shërbimeve publike Ilirik Musliu, i shkarkuar po ashtu nga Rama, as asamblisti Leotrim Retkoceri, as sekretari Arben Gecaj, e as drejtori i sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova.
Nuk dihet ende se si do të veprojë PDK lidhur me këto shkarkime dhe se a do ta prishë koalicionin me LDK-në.