Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, është pritur në takim pune nga Kryetari i Komisionit për Politika të Bashkimit Evropian në Senatin italian, Giulio Terzi di Sant’Agata dhe deputetë të këtij komisioni, përcjell InLajmi.
Gërvalla njofton se temat kyçe të këtij takimi ishin progresi i arritur në demokraci, sundim të ligjit, qeverisje të mirë, rritje ekonomike dhe në proceset integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës.
Tutje falënderoi kryetarin Terzi dhe deputetët Italianë për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës dhe shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e lidhjeve miqësore mes 2 shteteve tona, në ekonomi, kulturë, arsim dhe fusha tjera me interes të përbashkët.
Postimi i plotë i saj:
Bashkëpunimi në politikën e jashtme mes Republikës së Kosovës dhe Italisë, mbështetja për Kosovën në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, ishin temat kyçe në takimin e sotëm me kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Siguri në Senatin Italian, znj. Stefania Craxi dhe anëtarë të tjerë të komisionit.
Me deputetët italianë diskutuam për bashkëpunimin ndërshtetëror edhe në çështjet dhe sfidat e përbashkëta, për rolin e mërgatës në zhvillimin ekonomik dhe investimet strategjike.
Falënderova kryetarin Terzi dhe deputetët Italianë për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës dhe shpreha përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e lidhjeve miqësore mes dy shteteve tona, në ekonomi, kulturë, arsim dhe fusha tjera me interes të përbashkët.
Takimet si ky i sotmi me senatorin Terzi të rikujtojnë se Kosova ka miq të jashtëzakonshëm, të cilët jo vetëm që mbështesin fuqishëm perspektivën euroatlantike të Kosovës, por shprehin një simpati të jashtëzakonshme për qytetarët e saj dhe i gëzohen çdo përparimi të Republikës sonë./InLajmi/

















