Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se kriminelët që udhëhoqën sulmin e 24 shtatorit janë ende të lirë në Serbi, duke shprehur shqetësimin për planet e mundshme të reja sulmesh nga Serbia.
Osmani ka bërë të qartë se policia dhe ushtria serbe nuk kanë më asnjë rol në Kosovë që nga viti 1999.
Ajo ka theksuar se çdo veprim i Serbisë do të përballet me kundërpërgjigje nga Kosova dhe partnerët e saj, duke theksuar nevojën për sigurinë në kufirin mes 2 vendeve.
“Mesazhi për Serbinë është i qartë, prezenca e tyre policore, ushtarake ka përfunduar përgjithmonë në qershor të vitit 1999. Veprimet e Serbisë do të varen nga kundërpërgjigja jonë, jo vetëm nga Kosova por edhe nga partnerët tanë. Masa e parë që duhet të merret, është që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë të jetë i sigurt”, ka deklaruar Osmani në konferencë për media.
“Të gjitha dëshmitë që i marrim tregojnë që Serbia vazhdon të planifikojë sulme të reja. Serbia nuk do t’ia dalë, policia së bashku me aleatët janë aty që ta frenojnë çdo sulm që shtyhet përpara nga Serbia. Dua të falënderoj Gjermaninë për rritjen e prezencës së KFOR-it gjerman kjo krijon ndjenjën e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë Osmani.
Presidentja ka ndarë shqetësimin e saj për kontrabandimin e armëve dhe përdorimin e emrit të KFOR-it nga Serbia në veprimtaritë e tyre, duke rrezikuar jo vetëm Kosovën por edhe shtetin gjerman, shkruan TV Dukagjini.
“Një nga arsyet që sulmi i 24 shtatorit ka ndodhur, muaj para sulmit Serbia nga rrugët ilegale ka kontrabanduar, armë të stilit ushtarak, uniforma, automjete të blinduara. Ka pasur raste që ata kanë keqpërdorur emrin e KFOR-it, duke e vendosur emrin e KFOR-it në autoblinda, e kanë keqpërdorur edhe flamurin gjerman, duke rrezikuar jo vetëm Kosovën por edhe shtetin gjerman. Ne në Kosovë që sa më të fuqishme mesazhet politike që miqtë tanë i japin në raport me Serbinë, aq më mirë do të jetë për sigurinë”, ka deklaruar presidentja Osmani.