Presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas vendimit të Kosovës për ndalimin e dinarit tha se të hënën Serbia do të kërkojë mbajtjen e një seance urgjente dhe të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën dhe tha se do t’i shkruaj letër BE-së, Kinës dhe Rusisë në të cilat do t’i informojë për situatën në Kosovë, transmeton InLajmi.
Duke folur për heqjen e dinarëve, Vuçiq tha se që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, Serbisë i është garantuar e drejta për financimin e disa aktiviteteve, shëndetësisë, arsimit dhe pensioneve, të cilat është dashur të bëhen përmes Asociacionit
“Fatkeqësisht, Kurti e mori atë vendim me iniciativën e tij me qëllimin vijues, që është spastrimi etnik i serbëve nga Kosova. Kështu bëjnë çdo ditë, ata thjesht nuk mund ta kuptojnë se dialogu është i rëndësishëm, se ne e kemi atë dialog sepse Kosova nuk është një vend i njohur me të drejtën ndërkombëtare”, tha Vuçiq dhe shtoi se ka pasur një takim me partnerët nga Quinta dhe shpreson se do të bëhet ajo që u tha.
Ai po ashtu deklaroi se reagimi i SHBA-së ishte disi më i fortë se ai i BE-së.
“Do të gjejmë zgjidhje, nëse duhet do të gjejmë banka private për të marrë licencën, njerëzit të mos shqetësohen”. Situata nuk është e mirë, është e komplikuar, por njerëzit do të marrin para. Qeveria ka një mosbesim të madh ndaj Prishtinës dhe lëvizjeve të saj”,ka shpjeguar Vuçiq.
Gjithashtu, ai ka theksuar se Serbia do të kërkojë një seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Kam mbaruar së shkruari letrat, të cilat kanë pothuajse të njëjtën strukturë për sa i përket ngjarjes, por secila është e personalizuar. Unë personalisht e kam shkruar dhe po e nënshkruaj dhe të hënën do ta marrin të gjithë përfaqësuesit e anëtarëve të BE-së, do ta marrin përfaqësuesit e institucioneve, por do ta marrin përfaqësuesit e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Kinën dhe Rusinë. Është letra më e trishtë dhe më e vështirë që kam nënshkruar që kur isha në krye të Serbisë. Po theksoj shkeljen e të drejtave dhe normave, pjesë e normave të përshkallëzuara në 2 vitet e kaluara dhe atë që Serbia, në përputhje me Kartën e OKB-së, kërkon nga bashkësia ndërkombëtare. Ajo që është e rëndësishme e në përputhje me nenin 35 të Kartës së OKB-së, është që ne të paraqesim një kërkesë për mbajtjen e një sesioni të veçantë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shpresoj se seanca do të mbahet, dhe të kuptojnë pasojat e këtij vendimi kriminal të Kurtit”, ka thënë Vuçiq, shkruan nova.rs.
Paraprakisht ishte bërë e ditur se Vuçiq pritet të informojë opinionin për detajet më të rëndësishme të bisedimeve me përfaqësuesit e QUINT-it dhe BE-së për vendimin e autoriteteve në Prishtinë për aktivizimin e dekretit për heqjen e dinarit në Kosovë./InLajmi/