Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.
Ky vendim ka rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.
Komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, duke argumentuar se ai “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.
Kartëmonedha prej 100 dinarësh serb dhe kartëmonedha të valutës euro. Fotografi ilustruese.
Ekzekutivi kosovar tha se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.
Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.
Më 31 janar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se do të nisë një fushatë për informimin e qytetarëve për këtë rregullore, duke shtuar se shpreson që do të ketë bisedime mes bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se të gjitha bankat komerciale në shtet janë udhëzuar që të hapin degë në veri, teksa BQK-ja i ka obliguar ato që të ofrojnë xhirollogari bazike, pa kosto për poseduesit e tyre.
Ndërkaq, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve është paralajmëruar se do të nisë operimin në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicës serbe, në mënyrë që bizneset atje të mund të regjistrohen dhe fiskalizohen.
Pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës se nuk do të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it.
Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania,Franca, Gjermania dhe Italia dhe përfaqësuesit e këtyre shteteve në Kosovë, më herët kanë bërë thirrje për shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.
Presidenca serbe nuk u deklarua për takimin e Vuçiqit me QUINT-in. Por, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se në takim u diskutua pikërisht për vendimin e BQK-së dhe tha se situata e shkaktuar nga ky vendim “është më e vështirë se kurrë më parë”.
“Ishte e qartë për të gjithë në takim se [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti është fajtori kryesor. Serbët në ‘Kosovë dhe Metohi’ kanë të drejt të jetojnë, të përdorin transaksionet për pagesa dhe institucionet tona të jenë funksionale. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga këto”, tha ai për Radio Televizonin e Serbisë.
Sipas Petkoviqit, Vuçiq do të vazhdojë diskutimet për vendimin e BQK-së dhe do të flasë publikisht për këtë çështje në ditët në vijim.
Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së ka ngritur shqetësime te popullata serbe në Kosovë, e cila ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa. Me këtë valutë, pagën e kanë marrë edhe punonjësit në institucioneve serbe në Kosovë, por edhe me dinarë janë paguar edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët janë përdorur në objektet tregtare, ndërkaq në 4 komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, paraprakisht e kishte thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.