Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, regon për zhvillimet e fundit që lidhen me financimin e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, përcjell InLajmi.
Hamza është shprehur tejet i shqetësuar për lajmet e fundit në lidhje me mos financimin e mbrojtjes ligjore të ish-presidentit Thaçi.
Kryetari i Mitrovicës thekson se mungesa e ndihmës në nivelin adekuat nga institucionet përkatëse të Kosovës për themeluesit e luftës çlirimtare është evidente.
Po ashtu shton se Kosova ka mjete financiare që e përballojnë koston e mbështetjes financiare dhe nuk paraqet asnjë rrezik për stabilitetin makrofiskal për vendin.
Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës jo që duhet ta zvogëlojë mbështetjen por duhet t’i rrisin financimet për mbrojtjen e themeluesve të UÇK-së duke treguar shembullin e Kroacis që ka vepruar me gjeneralët e saj, përfshi gjeneralët shqiptarë.

Postimi i plotë i tij:
Jam tejet i shqetësuar për lajmet e fundit në lidhje me mos financimin e mbrojtjes ligjore të Presidentit Thaçi.
Mungesa e ndihmës në nivelin adekuat nga institucionet përkatëse të Kosovës për themeluesit e luftës çlirimtare është evidente.
Po e përcjelli me vëmendje çdo ditë realizimin e buxhetit për mbështetjen e çlirimtarëve të cilët po gjykohen në Hagë, dhe përkitazi me këtë kam ca fjalë:
Kosova ka mjete financiare që e përballojnë koston e mbështetjes financiare dhe nuk paraqet asnjë rrezik për stabilitetin makrofiskal për vendin. Për më tepër e ritheksoj se e kemi obligim ligjor dhe moral ta mbrojmë të vërtetën e Lirisë së Kosovës, e t’ju dalim hakësh burrave të lirisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës jo që duhet ta zvogëlojë mbështetjen por duhet t’i rrisin financimet për mbrojtjen e themeluesve të UÇK-së.
Kështu ka vepruar edhe Kroacia me gjeneralët e saj, përfshi gjeneralët shqiptarë. Kështu duhet të veprojmë edhe ne.
Heshtja përballë kësaj çështje nuk i bënë nder vendit!/InLajmi/