Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ka ndërhyrë në çatinë e banesës “Sulo Llaqi” në lagjen Manalat, Monument Kulture, Kategoria I. Çatia kishte probleme në një pjesë të sprethit i cili kishte rrëshqitje dhe thyerje të rrasës së gurit si dhe kalbje të mahive.
Banesa e Sulo Llaqit është një monument i trashëgimisë kulturore, në qarkun e Gjirokastrës. Ky monument është i llojit “arkitekturë”, i miratuar në vitin 1963. Kjo banesë është një nga shembujt e pakët të tipit kullë, që ruhen në Gjirokastër.
Fillimisht ky ndërtim ka qenë trekatësh me nga një mjedis në secilin kat. Funksioni i saj nuk del i qartë, mbasi ka qenë kullë roje për lagjen. Më vonë një kat i saj është rrëzuar, ndërsa pranë saj është ngritur një ndërtim i ri, i cili i është bashkangjitur kullës, shkruan ATSH.
Ditët e fundit specialistët e DRTK Gjirokastër kanë qenë të angazhuar edhe në aktivitete të tjera mirëmbajtjeje. Gjatë kësaj jave ata kanë ndërhyrë mes të tjerash edhe në “Parkun Arkeologjik Antigone” për pastrimi i bimësisë në kolonat e Agorasë, sistemimin e murit rrethues në krahun e Portës Veriore, përmirësimin e rrugës kryesore, sistemimin e murit të Nimfeut etj.