Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës në një konferncë për media njofton se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme që ka pasur Kosova në luftën kundër korrupsionit, mbetet në vendin e 41-të sa ka qenë vitin e kaluar, ndërsa në listën botërorë në vendin e 83, raporton InLajmi.
Cakolli theksoi se në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova sivjet renditet e 3, pas Malit të Zi, në vendin e 63, dhe Maqedonisë së Veriut, në vendin 76. Pas Kosovës rezultate më të dobëta kanë Shqipëria në pozitën 98, Serbia në pozitën 104 dhe Bosnjë e Hercegovina në pozitën 108.
“Për vitin 2023, Kosova është vlerësuar me 41 pikë, po aq sa ishte vlerësuar në vitin e kaluar, ndërsa zë vendin e 83-të në ranglistën botërore. Pozitën e 83-të, Kosova e ndan me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami. Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova sivjet renditet e 3, pas Malit të Zi (në vendin e 63), dhe Maqedonisë së Veriut (në vendin 76). Pas Kosovës rezultate më të dobëta kanë Shqipëria (në pozitën 98), Serbia (në pozitën 104) dhe Bosnjë e Hercegovina (në pozitën 108)’’, tha ai.
Po ashtu tha se përgjatë 12 viteve prej kur Kosova është bërë pjesë e vlerësimit të CPI, është shënuar progres inkremental prej 7 pikësh, nga 34 pikë në vitin 2012 në 41 pikë.
”Është për t’u theksuar fakti se përgjatë 12 viteve prej kur Kosova është bërë pjesë e vlerësimit të CPI, është shënuar progres inkremental prej 7 pikësh, nga 34 pikë në vitin 2012 në 41 pikë në vitin 2023”, tha Cakolli.
Cakolli tutje shton se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë përfshirë procesin e vettingut dhe ligjin mbi Këshillin Prokurorial, po ecin me ritme shumë të ngadalta
“Sidoqoftë, progresi i ngadaltë por i qëndrueshëm i Kosovës në dekadën e fundit është kryesisht rezultat i progresit demokratik, që i atribuohet mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe transferimit paqësor të pushteteve përgjatë viteve. CPI megjithatë thekson, se ky progres nuk është reflektuar edhe në performancën kundër korrupsionit. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë përfshirë procesin e vettingut dhe ligjin e mbi Këshillin Prokurorial, po ecin me ritme shumë të ngadalta. Për më keq, ndërhyrjet e vazhdueshme të qeverisë në çështjet gjyqësore, shkarkimi i udhëheqësit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, pasuar nga pengimi i hetimit parlamentar për rastin e dyshuar të korrupsionit për rezervat shtetërore nga deputetët e shumicës parlamentare, tregojnë që mungon vullneti politik për të hequr dorë nga kontrollimi i gjyqësorit dhe për të forcuar mbikëqyrjen e pavarur”, tha tutje ai./InLajmi/
