Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, me rastin e 25 vjetorit të Masakrës së Rogovës së Hasit,tha se datat 27,28 dhe 29 janar 1999 ishin shumë të rënda për ecurin tonë në luftën çlirimtare përcjell InLajmi.
Haradinaj tha se ato ditë u përjetësuan shumë luftëtarë të zotë që unë i njoha në vijat e frontit, të cilët kishin marrë rrugë drejt kufirit me Shqipërinë që të sjellin armët e lirisë.
Tutje ai ka kujtuar të rënët e kësaj masakre, duke thënë lavdi për të gjithë ata që luftuan për lirinë e Kosovës dhe se respekti dhe mirënjohja për sakrificën e tyre do të mbetet e përjetshme.
Postimi i plotë i tij:
Datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 ishin të rënda për ecurinë tonë në luftën çlirimtare. Ato ditë, u përjetësuan shumë luftëtarë të zotë që unë i njoha në vijat e frontit, të cilët kishin marrë rrugë drejt kufirit me Shqipërinë që të sjellin armët e lirisë.
Sa herë do të rrëfejmë për heroizmin e tyre, do të kujtojmë betejat, do të kujtojmë Urën në Bishtazhin, Ujzin, Godenin e Rogovën e Hasit. Do të kujtojmë me dhembje e krenari, emrat e tyre; Agron Rama, Agim Zeneli, Sejdi Rama, Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gaspër Karaqi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sahit Krasniqi, Valon Gashi, Vesel Avdyli, Selman Morina, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala, Rifat Shala, Rrustem Morina, Muhamet Morina dhe Nesret Morina.
Ato ditë të vështira, në tentim për të strehuar e shpëtuar luftëtarët e plagosur u flijuan dhe rogovasit Rrustem Morina me djemtë Selmanin, Muhametin e Nusretin, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala dhe Rifat Shala.
Lavdi të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për lirinë e Kosovës! Respekti dhe mirënjohja për sakrificën e tyre sublime do të jetë i përhershëm!
Lavdi e përjetshme! /InLajmi/