Drejtor i Zyrës për Kosovë është deklaruar pas takimit të Aleksandër Vuçiqit me emisarin evropian Miroslav Lajçak të hënën në Beograd, duke zbardhur kështu edhe kërkesat e Vuçiqit gjatë takimit, transmeton InLajmi.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në bisedë me të dërguarin special të BE-së për Beogradin dhe Prishtinën, Miroslav Lajçak, këmbënguli që Albin Kurti të ndalojë provokimet sikur që është rasti i vendimit për ndalimin e dinarit, i cili synon të dëbojë popullin serb si në jug ashtu edhe në veri të lumit Ibër”, tha Petar Petkoviq.
Petkoviq, i cili është i autorizuar të tregojë përmbajtjen e bisedës në emër të presidentit të shtetit, tha se nuk ishte aspak e lehtë dhe se Vuçiq nënvizoi problemet kryesore në normalizimin e marrëdhënieve.
“Në radhë të parë, Vuçiq theksoi pozitën shumë të vështirë të popullit serb në Kosovë Metohi dhe domosdoshmërinë që Prishtina të ndalojë së kryeri lëvizje që çojnë në kolaps të jetës së serbëve. Ai po ashtu theksoi nevojën e formimit të Asociacionit të cilën Beogradi dhe populli serb në Kosovë e kanë pritur për më shumë se 10 vite, duke theksuar se Prishtina insiston në formimin e Asociacionit përmes marrëveshjes për statutin. Prishtina i refuzon bisedimet në atë drejtim”, u shpreh Petkoviq.
Sipas fjalëve të tij, Vuçiq ka theksuar edhe rëndësinë e peticioneve të serbëve për largimin e kryetarëve jolegjitim në 4 komuna në veri të Kosovës.
“Tani është radha e Albin Kurtit që të veprojë sipas udhëzimeve që i ka dhën vetë dhe të organizojë zgjedhje në të cilat kryetarët serbë do të jenë në përputhje me vullnetin e popullit”, tha drejtori i Zyrës.
Ai deklaroi se Beogradi është për dialog, paqe dhe normalizim, që nënkupton që fëmijët të shkojnë në shkollë, njerëzit të shkojnë në punë dhe se kanë të drejtë në pagë, pension dhe përfitime sociale.
“Prandaj na duhet Asociacioni për të krijuar një mekanizëm dhe kornizë për mbijetesën e popullit tonë dhe për të përmirësuar të drejtat e tyre, të cilat Prishtina i shkel çdo ditë. Ne jemi palë përgjegjëse dhe shikojmë me përgjegjësi përmbushjen e detyrimeve tona në dialog. Por për këtë duhet pala tjetër, e cila po përpiqet që me lëvizjet e para ta shkatërrojë dialogun dhe ta vërë në dyshim dialogun dhe mbijetesën e popullit tonë në Kosovë”, ka përfunduar Petkoviq.
Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Beograd këtë vit dhe hera e fundit që ai ishte në Beograd në nëntor të vitit të kaluar.
Lajçak erdhi në Beograd 3 ditë para fillimit të paralajmëruar të zbatimit të dekretit të bankës qendrore në Prishtinë, sipas të cilit euro do të ishte mjeti i vetëm për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë. Deri më tani, me këtë rast kanë reaguar vendet e QUINT-it, ambasadori amerikan në Kosovë takoi guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe zëdhënësi i KE-së Petar Stano, i cili tha se kjo çështje duhet të diskutohet në Bruksel.
Kujtojmë se Lajçak nesër niset për në Prishtinë. Pritet që ai të takohet me përfaqësues të institucioneve vendore, por ende nuk ka konfirmim nëse do të ketë takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shkruan Danas.
Në ndërkohë, tashmë është konfirmuar se do të mbahet një takim me zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. /InLajmi/