Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti, bënë homazhe te varrezat e fëshmorëve Memë dhe Prend Zef Lleshit në Gjakovë në 25-vjetorin e rënies së tyre, përcjell InLajmi.
Kurti shprehet se angazhimi dhe lufta totale e familjeve shqiptare sikur rasti i familjes Lleshi e kanë shtruar rrugën për të arritur deri te liria e Kosovës.
Tutje shton se e gjithë përpjekja dhe flijimi i dëshmorëve dhe martirëve të popullit shqiptar, është e monumentalizuar si sakrificë në themelet e Republikës së Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Sot janë bërë 25 vite nga rënia e dëshmorëve Memë dhe Prend Zef Lleshi. Andaj mëngjesin e kësaj të diele isha në komunën e Gjakovës, ku në fshatin Vraniq, bashkë me familjen Lleshi dhe me bashkëpunëtorë nga Gjakova, bëmë homazhe te varrezat e dëshmorëve.
Aty prehen në varre të katër bijtë e familjes Lleshi, dëshmorë të kombit, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë në betejë të drejtpërdrejtë për lirinë e atdheut. Ata janë: Mark Lleshi, Kolë Gjon Lleshi, Memë Zef Lleshi dhe Prend Zef Lleshi. Mema dhe Prendi ranë dëshmorë 25 vite më parë, më 28 janar 1999, në luftime me forcat e Serbisë në Goden të Hasit, kurse Marku me Kolën qenë përjetësuar si dëshmorë më 7 gusht 1998, në luftimet që kanë marrë emrin beteja e Markalleshëve.
Angazhimi dhe lufta totale e familjeve shqiptare sikur rasti i familjes Lleshi, e kanë shtruar rrugën nëpër të cilën është ecur deri te liria e Kosovës. E gjithë përpjekja dhe flijimi i dëshmorëve dhe martirëve të popullit shqiptar, është e monumentalizuar si sakrificë në themelet e Republikës së Kosovës, shtetit tonë që duam, që duhet dhe që po përpiqemi ta bëjmë çdo ditë e më të fortë!
Lavdi dëshmorëve Memë, Prend, Mark dhe Kolë Lleshi, për luftën e tyre dhe jetën e dhënë për liri!/InLajmi/