Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në vizitë pune presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shkruan InLajmi.
Në takim me homologun e saj, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme me Maqedoninë e Veriut.
Shqiptarët në Maqedonisë së Veriut, sipas Presidentes Osmani janë urë lidhëse ndërmjet të 2 shteteve dhe shtyllë e stabilitetit, por edhe e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Pendarovski për përkushtimin e tij personal për raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas Presidentes Osmani, të 2 shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në BE.
Më tej, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe bashkëpunimin nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.
Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, ndaj meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE.
Presidentja Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese.
“Procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon dhe në këtë rrugë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëra-tjetrën”, ka theksuar Presidentja.
Në këtë kontekst, sipas Presidentes Osmani, përfshirja e Kosovës në PfP, e më pas në NATO ka një rëndësi strategjike dhe gjithashtu është garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.
Të 2 liderët pohuan se ekziston potenciali për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit tregtar, kulturor, të shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, turizmit, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët. /InLajmi/