Shëtitorja ishte më e zbrazet se zakonisht. Pushuesit në zonën e Vollgës i ishin fshehur diellit të drekës, duke u strukur në kafenenë me çadra plazhi. Në sfond, nga zona e lodrave, vinte një miksim britmash. Ishin fëmijët mbi lisharëse dhe rrëshqitëse që nuk pyesnin fare për të nxehtin e verës. Mes tyre qëndronte edhe Ema, një vogëlushe 6-vjeçare. Me flokë të artë, pak topolake, ajo priste në radhë për të hipur te lodrat. Ndërsa ndodhej në majë të rrëshqitëses, Ema gjithnjë hidhte shikimin për nga tavolinat e lokalit, ndonëse në një largësi të konsiderueshme. Ajo kërkonte vështrimin aprovues të nënës, para se të lëshohej në shtratin gjarpërues prej llamarine, shkruan Medialook.al.
Ky ritual përsëritej, pa ndalim!
Ndërsa nisi të errej, bashkëjetuesi i nënës u ngrit nga tavolina. Ai po ecte në drejtim të makinës së tij Golf, ngjyrë të zezë. Pas pak, në makinë hipi dhe Ema bashkë me nënën e saj. Ndryshe nga zakonisht, makina nuk po shkonte drejt shtëpisë. Ata do të qëndronin në një hotel në Durrës, disa kilometra larg lodrave.
Zunë vetëm një dhomë. E rraskapitur nga loja, ashtu siç ishte, me pantallona të shkurtra dhe kanotiere Ema shtrihet në mes të krevatit. Disa minuta më vonë, nga njëra anë shtrihet dhe nëna e saj, ndërsa në tjetrën, njerku.
Nata ra!
Një dorë nis të përkëdhel trupin e 6-vjecares. Nuk ishte nëna e saj. E trembur, Ema kërkon vështrimin e nënës. Ajo i buzëqesh, e ledhaton lehtë në faqe dhe i thotë: Mos ki frikë! Nuk ka gjë…
***
Këtu është pikënisja e një prej historive më tronditëse të abuzimit seksual me të mitur në Shqipëri, e cila ka vijuar intensivisht për disa vite me radhë. Nga të dhënat që disponojmë, kjo është çështja e dytë e një gruaje të dënuar për krim seksual nga gjykatat shqiptare, por rasti i parë i një nëne, si një bashkautore e një abuzimi të vazhdueshëm me fëmijën e saj të mitur.
Për policinë dhe organet e drejtësisë, kjo çështje është një histori e zgjidhur me sukses. Njerkut dhe nënës së saj, i është dhënë një dënim maksimal, me respektivisht 23 dhe 18 vite burg. Aktualisht, dënimin po e vuan vetëm e ëma, pasi bashkëjetuesi i saj ndërroi jetë ndërsa ishte në burg “nga shkaqe natyrale”, dy vite pas dhënies së dënimit nga gjykata, në fund të vitit 2017.
Në fakt, fati i Emës, mund të ishte krejt tjetër! Netët e errëta të të miturës do te ishin një “ëndërr e keqe” nëse institucionet ligj zbatuese apo dhe qendrat e kujdesit social do të mund të reagonin që në krye të herës, kur nisi kjo histori.
Çfarë shkoi keq?
Dosja “Ema” është një prej 580 historive të abuzimit seksual me të mitur në Shqipëri, prej vitit 2010 e në vijim. Ashtu sikurse ndodh me krimet e rënda të abuzimit seksual, veçanërisht brenda familjes, fillesat janë të hershme, të vazhdueshme dhe denoncohen e pikasen nga drejtësia shumë vonë. Por ky nuk ishte rasti Emës. Ndonëse vajza nuk jetonte me të atin, për shkak të divorcit të prindërve, në pak takime të zhvilluara me të, ajo tejkaloj ndrojtjen e moshës dhe i ka treguar se njerku e ngacmonte seksualisht.
“Përpara disa vitesh kam bërë një denoncim në polici, pasi vajza ime më ka thënë se bashkëjetuesi i mamasë e fërkonte në pjesët intime”,– ka dëshmuar babai i Emës gjashtë vite më pas para oficerëve të policisë, ndërsa çështja e abuzimit ishte zbuluar nga autoritet. Në vijim të dëshmisë së tij, ai tregon se “nuk e di fatin e këtij denoncimi”, ndërsa shton se “mbaj mend që për këtë arsye na kanë thirrur të dyja palëve në polici”.
Ne i jemi drejtuar zyrtarisht Komisariatit të Policisë në Fier lidhur me procedurën e ndjekur në rastin e këtij denoncimi, duke i vënë në dispozicion edhe të dhëna të detajuara lidhur me dosjen në fjalë, por nuk kemi marrë një përgjigje. E megjithatë, punonjës aktual të kësaj drejtorie, pohojnë “off record” se “duke parë praktikën e ndjekur sipas dëshmisë efektivët e policisë kanë tentuar zgjidhjen me mirëkuptim të rastit”, një mënyrë e njohur kjo për vepra të tilla brenda familjes, veçanërisht në vitet kur është kryer denoncimi, edhe për shkak të mentalitetit në zonat rurale.
Mungesa e veprimit të menjëhershëm nga strukturat e policisë së shtetit, sapo kanë marrë denoncimin, ka rezultuar fatale për nisjen e një kalvari të gjatë netësh plot abuzime e makth të të miturës. “Për çdo ngjarje ndërhyrja dhe qasja profesionale që në fillim bën gjysmën e punës për të zgjidhur një rast me sukses.”, – shprehet Altin Hazizaj, drejtues i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri.“Në Shqipëri edhe për disa vite do të vijojmë të merremi me pasojat e krijimit, deri sa të shohim një ndryshim e ristrukturim kaq të thellë të institucioneve ligj-zbatuese që ato të kthehen në parandaluese të krimit”, –shprehet drejtuesi i CRCA-së, Altin Hazizaj, i cili shton se“sot për sot në gjendjen që janë si organet ligj-zbatuese ashtu edhe ato të drejtësisë, parandalimi është vërtetë e pamundur”.
Por denoncimi i bërë në polici, është vetëm momenti i parë kur autoritetet ligj zbatuese mund të kishin ndërhyrë për të ndalur abuzimin seksual. Nga analiza e hollësishme e rreth 200 faqeve material të dosjes “Ema”, ne kemi evidentuar edhe një rrethanë të dytë, kur e mitura mund të kishte shpëtuar që në krye të herës nga ky abuzim, por, sërish, institucionet nuk kanë funksionuar.
Një vit nga nisja e ngacmimeve seksuale, për shkak të mosmarrëveshjeve, daja i Emës pasi është vënë në dijeni ka denoncuar bashkëjetuesin e motrës së tij për shfrytëzim prostitucioni. Pas hetimeve dhe dënimit të njerkut, Ema bashkë me të ëmën është dërguar në Qendrën Kombëtare Pritëse të Viktimave të Trafikut në Linzë. Në këtë qendër, ato janë trajtuar për të paktën një vit e gjysmë, ndërsa kemi mësuar prej zyrës së Avokatit të Popullit se “në këtë periudhë numri i personave të regjistruar ka qenë i kufizuar”, çka u krijonte më shumë lehtësi personelit për të trajtuar këtë rast.
Duke iu referuar një raporti të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, që i përket të njëjtës periudhë me trajtimin e Emës dhe të ëmës së saj, rezulton se shërbimi bazë që ofrohet pranë Qendrës Pritëse e Viktimave të Trafikimit sipas rregullores së funksionimit të tyre “është asistenca e specializuar psikologjike, asistenca ligjore si dhe një nivel i lartë sigurie për vetë rrezikshmërinë që paraqet statusi i sytë si viktima trafiku”.
Mbështetur në këtë funksion ne i jemi drejtuar me një kërkesë për informacion kësaj Qendre dhe Shërbimit Social Shtetëror si institucion përgjegjës. MediaLook ka ofruar të dhëna të detajuara për periudhën dhe identitetin e pacientëve për të lehtësuar kthimin e një përgjigje në lidhje me “programin e specializuar të rehabilitimit dhe asistencën psikologjike të ofruar prej qendrës”. Në përgjigje të interesit tonë, Shërbimi Social ka konfirmuar faktin se Ema dhe mamaja e saj i janë nënshtruar programit të rehabilitimit, por shton se “nuk mund të japi informacion lidhur me shërbimet që ka marrë dhe përmbushjen e këtij programi pasi Qendra është konfidenciale, ndërsa të dhënat e kërkuara janë private”. Një përgjigje refuzuese ka ardhur dhe prej drejtuesve të Qendrës. Ne kontaktuam policinë e Tiranës dhe të Durrësit, nëse ka patur ndonjë denoncim për zbulimin e një abuzimi seksual kundrejt të miturës nga personeli i Qendrës Kombëtare Pritëse të Viktimave të Trafikut dhe na është konfirmuar se “nuk rezulton asnjë denoncim për rastin në fjalë”.
Për psikologen e zhvillimit Sibora Kalluçi, një fëmijë i abuzuar seksualisht “ka një ndryshim ekstrem në proceset jetësore: si luhatje e pagjumësisë ose gjumë i tepërt, shfaq simptoma anoreksie ose bulimie nervore, mund të mbyllet në vetvete, të shprehë dëshirë për të mos jetuar më apo të shprehë ndjenja vet fajësuese, me nota urryese ndaj vetes”. Kalluçi argumenton se për zbulimin e rasteve të abuzimit seksual “ka forma terapeutike, që mund të kuptohet nga një profesionist, siç është psikologu klinik apo psikiatri infantil dhe një ndër to është terapia e artit dhe lojës”.
Ky është rasti i dytë, kur një tjetër institucioni të specializuar ka dështuar ti japë fund netëve të errëta të Emës, e cila pasi lë këtë qendër është abuzuar sërish në mënyrë të vazhdueshme nga prindërit e saj.
Ka qenë sërish vetë e mitura, që në moshën 12-vjecare, rigjeti forcën për të pohuar se prej disa vitesh abuzohej seksualisht nga njerku në prani të nënës së saj.
Hetimet zbuluan se vajza ishte ngacmuar dhe më pas dhunuar seksualisht për afro gjashtë vite, ndërsa institucionet nuk arritën të parandalonin apo frenonin abuzimin, ndonëse informacioni nuk ka munguar.
Mbi 270 krime seksuale me të mitur në tre vite! Shkodra me rastet e abuzimeve më të rënda,“Pedofilia online” e pa gjurmuar nga institucionet
Në Shqipëri janë dënuar 277 grabitqarë seksual përgjatë periudhës Janar 2020-Mars 2023, 32 prej të cilëve për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të mitur nën 14-vjec, ndërsa 21 të tjerë me fëmijë nga mosha 14 deri në nën 18-vjec. MediaLook ka përpunuar të dhënat e siguruara përmes 18 kërkesave për informacion nga rrethet gjyqësore në rang kombëtar. Krahas statistikave janë marrë një pjesë e konsiderueshme e vendimeve të anonimizuara për krimet seksuale me të mitur.
Ndonëse Gjykata e Tiranës rezulton me numrin më të madh të vendimeve për raste pedofilie me 61 të tilla, kryeqyteti përllogarit një koeficient krimesh prej 0.66 raste për 10 mijë banorë. Nga të dhënat e analizuara rezulton se Qarku i Shkodrës është hapësira territoriale ku kanë ndodhur më shumë krime seksuale me të mitur, me 2.64 raste për 10 mijë banorë, me vendim gjyqësor. Në këtë qark janë shënuar dhe gjashtë ndër rastet më të rënda, të cilat kanë përfunduar me kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të miturit nën 14-vjec. Dy qarqet e tjera problematike me vepra të grabitqarëve seksual në raport me numrin e popullsisë janë Gjirokastra dhe Lezha.
Ndërkaq, ajo që evidentohet nga të dhënat është numri shumë i ulët i vendimeve të dhëna sa i takon pedofilisë online, ndonëse çështjet e ngacmimeve seksuale në internet denoncohet vazhdimisht si problematike në kushtet e një numri të madh përdoruesish të mitur në rrjetet sociale TikTok, SnapChat e Instagram. “Në lidhje me tipologjinë e dhunës seksuale online ndaj fëmijëve, këtë vit për herë të parë jemi përballur me imazhet seksuale të fëmijëve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, gjë që nuk na është raportuar asnjëherë më parë”, shprehet Altin Hazizaj, drejtues i CRCA-së. Sipas tij, “kjo do të thotë se pedofilët dhe grabitqarët seksualë për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale që mbajnë kur këto imazhe janë të fëmijëve të vërtetë, kanë filluar të përdorin teknologjitë e avancuara.”
Ne i jemi drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të kuptuar se çfarë nuk shkon në gjurmimin dhe kapjen e pedofilëve online. Nga të dhënat e vëna në dispozicion vërejmë se përgjatë pesë viteve 2018-2022, janë depozituar gjithsej 138 padi penale për ngacmime seksuale nga grabitqarët online. Nga këto vetëm 10 çështje ose 7% e tyre janë çuar në gjyq nga Prokuroria, dhe vetëm tre prej tyre kanë përfunduar me një vendim dënimi.
Burime nga organi akuzës bëjnë me dije se ky numër i ulët i çështjeve që dërgohen në gjykatë ka të bëjë me infrastrukturën e munguar në mbledhjen dhe dokumentimin e provave që në fazën fillestare të ngacmimit seksual.
“Në rastin e krimeve kibernetike ndaj individëve, pjesa më e madhe e tyre mund të parandalohen, mund të hetohen dhe personat që kanë bërë dëm të sillen para drejtësisë. Por mungesa e aftësive digjitale së bashku me mungesën e teknologjisë, i bën institucionet të paafta për të ndjekur krimin, e jo më ta parandalojnë atë.”, analizon Hazizaj.
Në vitin 2020 Qendra MediaLook publikoidatabazën për Krimet Seksuale me të Miturit në Shqipëripërgjatë një dekade, për periudhën 2010-2019, në të cilën u identifikuan dhe analizuan 303 raste abuzimesh seksuale, të shqyrtuara nga një gjykatë e shkallës së parë.
Aktualisht, ajo që konstatohet është se në tre vitet e fundit raporti i krimeve seksuale me të miturit është 2.8 herë më i lartë krahasuar me të njëjtën tipologji abuzimesh që kanë ndodhur gjatë periudhës së mëparshme dhjetë vjeçare.
Ne ju drejtuam Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, të cilët na konfirmuan se “sipas ligjit për çdo tre mijë fëmijë duhet të ketë një punonjës për mbrojtjen e fëmijëve. Në bashkitë e vendit shumica e ka përmbush këtë kriter, ndërsa në Tiranë janë 24 punonjës të Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve”. Por pavarësisht personelit, trendi i dhunës seksuale edhe në raportet e kësaj agjencie është gjashtë herë më i lartë në vitin 2022 krahasuar me 5 vite më parë.
Tendencat në rritje të krimeve seksuale me të mitur tregojnë se zinxhiri parandalues që fillon nga policia, njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, mësuesit, psikologët në shkolla, etj. po has vështirësi në mbajtjen e situatës nën kontroll. Për sa kohë gjendja do të mbetet e tillë, viktimat e abuzimit seksual që në moshë të hershme, do të përjetojnë të tjera netë të errëta.
Shënim:Ema është pseudonimi i vendosur prej autorit me qëllim ruajtjen e identitetit të vajzës së abuzuar.