Ismail Qemali Bej ka lindur në Vlorë më 24 janar 1844, ndërsa ka vdekur në Peruxhia, më 26 janar 1919, përcjell InLajmi.
Ismail Qemaili ka punuar si nëpunës dhe deputet i Perandorisë Osmane, botues, veprimtar i çështjes kombëtare dhe themelues i Shtetit Shqiptar.
Ismail Qemali mban titullin hero i kombit shqipëtar dhe ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më pas shërbeu si Kryeministër i parë dhe Ministër i Jashtëm i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë nga 1912 deri në 1914.
Vinte prej familjet më të hershme të bejlerëve, por degëzimi i tij nuk qe aq i kamur që nga kryengritjet e Tanzimatit ku u mori pjesë i ati. I përkrahur prej fisit të tij, u shkollua dhe filloi karrierën si nëpunës civil i perandorisë.
Pasi u mor nën patronazh nga sadrazemi i ardhshëm Mid’hat Pasha, fitoi përvojë në nivelet më të larta të administratës shtetërore osmane, për shkak të zbatimit në terren të Tanzimatit e deri duke kontribuar në hartimin e Kushtetutës Osmane. Duke parë ngërçet e vazhdueshme dhe duke e ndjerë veten të rrezikuar nga bindjet e tij, iku në syrgjyn.
U kthye pas Revolucionit të 1908, kur nisi periudha e dytë kushtetuese e perandorisë dhe u zgjodh deputet. Shumë shpejt vërejti rritjen e tensioneve nga Xhonturqit dhe kundërshtoi fushatat që ndërmorën ndaj vilajeteve shqiptare.
Bashkëpunoi për kryengritjen përfundimtare të vitit 1912 në ujdi me kolegët shqiptarë në parlament pa dallim partie që solli si rrjedhoi njohjen e Vilajetit Shqiptar. Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike u nis nga Stambolli drejt Vjenës për të kërkuar garanci për pavarësimin e Shqipërisë.
I tërhequr nga jeta politike, më 1917 i kumtoi kujtimet e tij gazetarit britanik Sommerville Story, të cilat u botuan më 1920 për herë të parë në Londër me titullin The Memoirs of Ismail Kemal Bey. /InLajmi/