Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, të martën në takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, PK, Gazmend Hoxha, ka njoftuar këtë të fundit për të gjitha shërbimet që jepen falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor në Prishtinë për pjesëtarët e Policisë, raporton InLajmi.
Ndërkohë shtoi Sadiku se ky vendim do të hyj në fuqi nga një shkurti dhe se ky vendim është marrë nga Asambleja Komunale e Komunës së Prishtinës.
Tutje u shpreh ai se drejtori Hoxha është njoftuar në detaje për shërbimet që do t’i ofrohen pjesëtarëve të Policisë.
“Ne e kemi njoftuar drejtorin e policisë në detaje rreth shërbimeve të marrëveshjes se nga 1 shkurti do të përcjellin një mesazh tek të gjitha ambulancat tona dhe shërbimet që i japin qendrat e shëndetit në Prishtinë, edhe shërbimi shëndetësor i policisë do të bashkëpunoj me neve”, tha Sadiku.
Nga ana tjetër Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se ky është një vendim i drejt dhe i mirëpritur për policinë.
Ai shpreson të ketë policë të shëndoshë për t’i shërbyer qytetarëve të Prishtinës.
“Ne u njoftuam për vendimin e Asamblesë Komunale të Prishtinës, normalisht që është një vendim i drejtë dhe i mirëpritur, ne do të njoftojmë të gjithë policët e Kosovës që jetojnë në Prishtinë që ti shfrytëzojnë këto shërbime që i ka ofruar falas kryeqyteti, po shpresojmë të kemi policë të shëndetshëm dhe të kemi policë të gatshëm në shërbim të qytetareve të Prishtinës dhe gjithë atyre që jetojnë këtu”, tha Hoxha. /InLajmi/