Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, në 18 vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës ka thënë se sikurse çdo vit tjetër përkulemi me krenari para jetës dhe veprës madhështore të Dr. Ibrahim Rugovës, përcjell InLajmi.
Gërvalla thekson se në homazh vazhduan bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, përfaqësues të shumtë të institucioneve dhe të ambasadave të shteteve të mike dhe aleate të Kosovës.
Tutje shton se Rugova nuk ishte vetëm i Kosovës sepse ai i dha shembullin më të mirë qytetërimit dhe botës me qëndrimin e vendosur dhe vizionin e tij të paqes në një kohë të errët ku shihej pak dritë e ku zhvilloheshin luftëra të përgjakshme në rajonin tonë.
Postimi i plotë i saj:
Shënimin e 18 vjetorit të kalimit në përjetësi të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, përfaqësues të shumtë të institucioneve dhe të ambasadave të shteteve të mike dhe aleate të Kosovës e vazhduam me homazhe e nderime te varri i tij.
Sot, sikurse çdo vit tjetër përkulemi me krenari para jetës dhe veprës madhështore të Dr. Ibrahim Rugovës, njeriut përmes të cilit na njohu bota perëndimore demokratike.
Ai nuk ishte vetëm i Kosovës sepse ai i dha shembullin më të mirë qytetërimit dhe botës me qëndrimin e vendosur dhe vizionin e tij të paqes në një kohë të errët ku shihej pak dritë e ku zhvilloheshin luftëra të përgjakshme në rajonin tonë.
Liri, pavarësi, demokraci! Kosova e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është formula, ky është identiteti i Republikës së Kosovës, të cilin na e përkujtojnë fuqishëm ditët si kjo e sotmja. Kjo është rruga së cilës nuk do t’i ndahemi./InLajmi/