Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kryesuar nga Ramush Haradinaj disa ditë më parë bëri koalicion parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.
Pas zyrtarizimit të këtij koalicioni, Haradinaj, i bëri ftesë për t’iu bashkuar në një koalicion të gjerë opozitar edhe LDK-së dhe PDK-së.
Në lidhje me ftesën e Haradinajt, ka folur për “Gazeta Blic”, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Bajrami tha se një ftesë të tillë se kanë shqyrtu dhe as nuk pritet ta shqyrtojnë pasi të njëjtit janë të bindur në fitoren e LDK-së.
“Ne kemi matjet tonë në teren, të cilat i bëjmë në baza të rregullta e në bazë të të cilave ne orientojmë aktivitet tona. Të dhënat tona neve na e konfirmojnë se jemi jashtzakonisht mirë. LDK ka punu aktivisht që 3 vite dhe po vazhdojmë të punojmë. Ftesën e koalicionit me të ri AAK-NISMA nuk e kemi shqyrtu as nuk do ta shqyrtojmë, atyre ju urojmë suksese, ne vazhdojmë punën tonë të bindur që do të na shpie në fitore”, deklaroi Bajrami.
Ajo tutje shtoi se LDK-ja, për dallim nga partitë e tjera, ka vizion të qartë për vendin, ka programin politik “Rruga e Re”.
“LDK për dallim nga partitë tjera ka vizion të qartë për vendin, ka programin politik “Rruga e Re”.
Bajrami shtoi se kanë punuar aktivisht gjatë kësaj periudhe 3-vjeçare.
“Lidhja Demokratike e Kosoves, ka dalë fituese ne zgjedhjet lokale, tani veç sa kemi përfunduar procesin e brendshëm zgjedhor në të cilin kanë marrë pjesë 35.000 anëtarë. Sot Lidhja Demokratike ka aktive 877 degë e nëndegë në tërë vendin, struktura këto të cilat janë në teren me aktivitet në baza ditore. Proces zgjedhor kemi pasë edhe në degët tona në mërgatë, proces ky i cili në disa shtet po vazhdon edhe sot”deklaroi nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Kryetari i AAK-së, Haradinaj, u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike opozitare në vend, dhe se për këtë bashkëpunim ai nuk ka asnjë kusht.
“Unë besoni asnjë kusht nuk e kam për bashkëpunim, me palët tjera politike dhe qytetare, Aleanca jonë asnjë kusht nuk e jep, i vetmi argument duhet të jetë se a kemi garanca që do t’i rrisim pagat, me lanë ushtarin siç e ka lënë Kurti është rrezik, me e lënë policin ashtu siç e ka lënë Kurti është rrezik, rrezik për sigurinë, me të ardhë njësitë elite para derës së qeverisë është rrezik, je duke e joshë dikë me të rreziku. Pa asnjë kusht, pa asnjë kërkesë, pa asnjë temë, jam i hapur për çdolloj bashkëpunimi që ata e vlerësojnë, çfarëdo mënyre, nuk u qes kushte as për lista, as për poste, për ne e rëndësishme është që Kosova të anëtarësohet në NATO, pra të jemi të sigurt dhe ta garantojmë Kosovën, pa hyrë në NATO siguria jonë është gjithmonë çështje e hapur”, deklaroi Haradinaj.