Punëtorët e arsimit të viteve 90-ta këtë muaj kanë marrë pensionet e tyre 25% më të ulëta nga muajt e tjerë.
Ndonëse nuk ka pasur asnjë vendim nga Qeveria për këtë kategori të pensionistëve, ata nuk kanë marrë pensionin e zakonshëm.
Zyrtarët e Qeverisë janë shprehur se ky ka qenë vetëm një gabim teknik gjatë shpërndarjes së pensioneve, dhe sapo është evidentuar është përmirësuar menjëherë.
Gjatë ditës së martë, më 16 janar, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka marrë një numër ankesash nga degat e saj nëpër komunat e Kosovës, si dhe nga pensionistët, ish-mësimdhënës gjatë viteve ’90, se në muajin janar, pensionet e dedikuara për këtë kategori, kanë qenë më të ulëta rreth 25%, në krahasim me muajt e kaluar, shkruan lajmi.net.
“Të gjithë ata të pensionuar që janë duke e gëzuar këtë shtesë (pensioni për mësimdhënësit e viteve ’90) kanë ardhur dhe janë ankuar tek unë. Por, ne nuk kemi forcë që mund ta ndryshojmë këtë gjë”, ka thënë Isuf Lajçi, përfaqësues i SBASHK-ut në Pejë.