Deputeti i PDK-së, njëherit anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rashit Qalaj ka deklaruar se nuk sheh ndonjë rrezik që Kosova të sulmohet nga Serbia.
Por, se incidente sikurse që ishte rasti i Bansjkës mund të përsëriten.
“Ne e dimë që Kosova është duke u mbrojtur ushtarakisht edhe nga forcat e NATO-s, pra nga KFOR-i dhe mendoj që Kosova nuk ka ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë për sulm ushtarak nga Serbia, mirëpo Kosova është në rrezik nga incidentet e mundshme që mund të ndodhin brenda Kosovës sikurse që ishte rasti i Banjskës më 24 shtator”, është shprehur Qalaj.
Deputeti ka përmendur edhe dislokimin e ushtrisë së Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, duke thënë se institucionet e sigurisë duhet të bëjnë plane se si të veprojnë, në rast të ndonjë incidenti eventual .
“Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës është armiqësor dhe kjo nuk është asgjë e re. Ju e keni parë që Serbia shpesh i dislokon përgjatë kufirit me Kosovën edhe njësitë e saj ushtarake dhe policore, mirëpo mendoj që Qeveria e Kosovës dhe Kosova në përgjithësi duhet të jenë të gatshëm fillimisht të përcjellin situatën me vëmendje, pra agjencionet e sigurisë, policia, AKI-ja të jenë të gatshme me informata dhe të bëjnë plane në rast të ndonjë incidenti eventual të përgjigjen në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka shtuar ai.
Ndërsa, deklaratat e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti që Serbia mund ta sulmojë Kosovën po thotë se i bëjnë dëm kësaj të fundit, shkruan Front Online.
“Unë e shoh pak më ndryshe situatën sepse tashmë botërisht dihen deklaratat e kryeministrit, presidentes të cilët na vazhdimësi thonë se Kosova është në rrezik ushtarakisht nga Serbia. Unë mendoj se këto deklarata nuk janë të shëndosha dhe i bëjnë dëm Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Qalaj.