Bajram Curri ka lindur në Krushë të Madhe më 16 janar 1862, ndërsa ka vdekur në Dragobi më 29 mars 1925, shkruan InLajmi.
Bajram Curri ka qenë ushtarak i Perandorisë Osmane, politikan dhe aktivist shqiptar i cili luftoi për pavarësinë e Shqipërisë, më vonë duke luftuar për Kosovën dhe inkorporimin në të pas Traktatit të Londrës në 1913.
Pas vdekjes iu dha titulli Hero i Popullit Shqiptar.
Ai u lind në Krushë të Madhe të Rahovecit, i biri i Shaqir agës dhe Ajkunës. Currët njiheshin si zotní, titullin deri tek Bajrami e patën Agë. Kjo familje kishte me trashëgim titullin vojvodë për bajrakët Krasniqe, Nikaj e Mërtur.
Prej pjesëmarrjes së të atit më 1860 në një kryengritje në malësitë e Krasniqes kundër taksave të rënda dhe rekrutimit, i burgosën Currët në Gjakovë. Shaqir agë Curri ishte njeri i besuar i Abdullah pashë Drenit në Gjakovë, dhe, me sa duket, kishte luajtur rol në tagërmbledhjen dhe rekrutimin në krahinë. Ai ndihmoi Abdullah Pashën në sulmin kundër Mehmet pashë Maxharrit dhe u vra gjatë përleshjeve nga trupat e Lidhjes së Prizrenit.

Nga pozitat tradicionale të familjes në Malësinë e Gjakovës, si për kundërshtitë ndaj Kryezinjve, u emërua komandant xhandarmërie e zgjodhi kapiten në Prizren, më vonë major në Prishtinë, e së fundmi kolonel, allajbeg në Shkup, ku kishte në dorë xhandarmërinë e gjithë Vilajetit të Kosovës.
Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899-1900, udhëheqës i lëvizjes në Kosovë dhe një nga prijësit kryesorë të Mbledhjes së Ferizajt, të korrikut 1908, ku përkrahu kërkesën për vendosjen e kushtetutës. Ndihmoi në themelimin e klubeve e të shkollave shqipe në Kosovë dhe mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit. Qe nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Shkupit nga viti 1908. Ndihmoi kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911, dhe u bëri një qëndresë të fortë forcave osmane në Qafën e Morinës.
Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga tribunët popullorë që theu forcat osmane në Qafën e Prushit në korrikun e 1912, dhe në Fushë Kosovë. Me Hasan Prishtinën në krye, Isa Boletinin, Idriz Seferin dhe Riza bej Gjakova në krye të forcave kryengritëse hyri në Shkup.
Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 qe një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbo-malazeze.
Më 1914 mori pjesë në qëndresën kundër Revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës. Po ashtu me Hasan Prishtinën, Ahmet Zogun dhe Isa Boletinin ishin organizatorë të kryengritjes antiserbe të vitit 1915. Me të hyrë ushtritë austriake në Gjakovë më 1916, shkoi në terren ku interesohet për rendin dhe qetësinë, dhe për zhvillimin arsimor.
Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe u bë një nga veprimtarët e saj kryesorë.
Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol të qeverisë dhe komandant të përgjithshëm te forcave të armatosura.
Udhëhoqi veprimet ushtarake për shtypjen e lëvizjes esadiste në Shqipërinë e Mesme dhe gjithashtu bashkëpunoi me Zogun kundër lëvizjes separatiste të Republikës së Mirditës. /InLajmi/