Nga partia e cila këtë ligj e ka dërguar në Kushtetuese thonë se që nga fillimi ligji për pagën minimale nuk ka marrë trajtimin e duhur nga Qeveria dhe deputetët e shumicës parlamentare.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj deklaron për Front Online se votimi për pagë minimale prej 264 euro ka qenë shumë gabim.
Derisa, tregon se ata kanë kërkuar që paga minimale të jetë 450 euro.
“Në këtë ligj të votuar në Kuvend, ka qenë shumë gabim miratimi i shumës 264 euro. Paga minimale 264 euro është ofendim dhe keqtrajtim ligjor e social i qytetarëve të Kosovës. Kjo erdhi nga kryeneçësia e Pushtetit ku nuk u përfillën kërkesat e sindikatave të sektorit privat, OJQ-ve, opozitës, ekspertëve dhe shoqërisë civile, që paga minimale të jetë shumë më e lartë se 264 euro. Ne si AAK patëm kërkuar që paga minimale të jetë 450 euro po nuk u morëm parasysh”, është shprehur Lekaj.
I pyetur se çfarë do të bëjnë tutje në rast se Kushtetuesja, merr vendim në favor të ligjit, Lekaj, deklaron se do të shikojnë mundësi të tjera që paga minimale të rritet.
“Nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të ligjit, do të shikojmë mundësi tjera se si mund të ngrisim pagën minimale”, është shprehur ai.
Sipas tij, paga prej 264 eurove nuk plotëson as nevojat bazike të qytetarëve.
“Paga 264 euro nuk plotëson as për së afërmi nevojat bazike të qytetarëve apo të një shporte familjare për 10 ditë të fillimit të muajit. Qytetarët e Kosovës janë duke u ballafaquar me mirëqenie të dobët, ku ju mungon cilësia e ushqimit, banimi jo i sigurt, shëndetësia jo në nivel, papunësia, çmimet e larta të jetesës etj”, ka shtuar deputeti Lekaj.