Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, mirëpret në takim Ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, diskutojnë për projektin e hekurudhës, përjell InLajmi.
Haradinaj thekson se në këto etapa vendimtare kërkojmë mbështetjen e qeverisë shqiptare, tani në veçanti kur e dimë që Shqipëria udhëheq shumë iniciativa rajonale, siç është Karta e Adriatikut dhe disa të tjera.
Tutje ai shton se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim kryesor, si garancë për më shumë stabilitet në rajon e botë.
Postimi i plotë i tij:
Mirëprita sot në selinë e Aleancës, Ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, z. Igli Hasani me bashkëpunëtorë. Në takim vlerësova angazhimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të Republikës së Kosovës, në shumë çështje të rëndësishme. Projekti i hekurudhës i inicuar në qeverinë tonë, që tani po bëhet realitet ndryshon epokën e shqiptarëve.
Në këto etapa vendimtare kërkojmë mbështetjen e qeverisë shqiptare, tani në veçanti kur e dimë që Shqipëria udhëheq shumë iniciativa rajonale, siç është Karta e Adriatikut dhe disa të tjera. Ne, bashkërisht duhet të kemi pozicion sa më të qartë dhe më unik në raport me interesin kombëtar dhe të 2 shteteve.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim kryesor i yni si shtet, si garancë për më shumë stabilitet në rajon e botë. Krahas mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë në krye me SHBA-të, roli i Shqipërisë është tejet i rëndësishëm në arritjen e këtij objektivi por edhe në proceset e tjera euro-integruese të Kosovës./InLajmi/