Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe me rastin e përvjetorit të 25-të të Masakrës së Reçakut, përcjell InLajmi.
Abdixhiku tha se në përkujtim të ditës që tronditi një botë të tërë, “Krim kundër njerëzimit” do ta quante ambasadori Walker atëherë.
Tutje ai tha se ndjenë nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi.
Kreu i LDK-së u shpreh se mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri.
Postimi i plotë i tij:
Reçak. Një çerek shekulli pas.
Mes familjarëve të fëmijëve, grave, të moshuarve e burrave, të vrarë e masakruar nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë; në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit të vitit 1999. Në përkujtim të ditës që tronditi një botë të tërë, “Krim kundër njerëzimit” do ta quante ambasadori Walker atëherë.
Ishte një ndër më të rënda të njerëzimit në fundshekullin e 20-të.
Sot, teksa po largohemi një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri. /InLajmi/