Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës Besnik Bislimi, ka përkujtuar Masakrën e Reçakut, duke e cilësuar si një prej krimeve më të tmerrshme të historisë sonë, përcjell InLajmi.
Bislimi tha se Masakra në Reçak zgjoi forcën reaguese të botës ndaj krimeve çnjerëzore të regjimit serb kundrejt shqiptarëve, ku gjurmët e një masakre të tillë nuk mund të zhduken e as të mohohen.
Tutje ai tha se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e orkestruara, paramenduara dhe ekzekutuara. Reçaku është më shumë sesa një ngjarje në librat e historisë.
Gjithashtu zëvendëskryeministri u shpreh se kjo masakër tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë së Millosheviqit.
Postimi i plotë i tij:
Çerekshekulli nga një prej krimeve më të tmerrshme të historisë sonë. Dhimbja ende gëlon në mesin tonë, bashkë me familjet e të afërmit e 45 bashkëkombasve tanë të vrarë barbarisht.
Masakra në Reçak zgjoi forcën reaguese të botës ndaj krimeve çnjerëzore të regjimit serb kundrejt shqiptarëve. Gjurmët e një masakre të tillë nuk mund të zhduken e as të mohohen.
Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e orkestruara, paramenduara dhe ekzekutuara. Reçaku është më shumë sesa një ngjarje në librat e historisë. Ajo është fytyra e vërtetë e Serbisë së Millosheviqit e cila ende fatkeqësisht nuk e ka bërë shkëputjen nga ajo aktualja e Vuçiçit, për sa kohë ende mohohen masakra si e Reçakut. /InLajmi/