Helikopterët e parë Black Hawk kanë mbërritur në Shqipëri në kuadër të prioritetit madhor për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit tonë.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ndau sot në rrjetet sociale momente nga mbërritja e 2 helikopterëve Black Hawk në Shqipëri.
Një avion transportues C-17 i Shteteve të Bashkuara mbërriti në Tiranë për të dorëzuar porosinë e parë të Shqipërisë për helikopterë Black Hawk, mbështetur me mbi 50 milionë dollarë nga fondet e ndihmës së SHBA, shkruan ATSH.
Helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje.