Partia Popullore e Spanjës ka kërkuar paraqitjen e ministrit të Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit, Jose Manuel Albares, para Kongresit të Deputetëve për të dhënë shpjegime për vendimin për pranimin e pasaportës së Kosovës.
Kjo parti po ashtu ka pyetur Qeverinë nëse është ky “ndryshim qëndrimi” për shkak të ndonjë presioni apo kushti nga partnerët e saj të koalicionit.
Kështu thuhet në disa letra, të mbledhura nga “Europa Press”, në të cilat PP kërkon që Albares të paraqitet para Komisionit për Punë të Jashtme të Kongresit për të “shpjeguar ndryshimin e qëndrimit në lidhje me ‘marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën’, duke qenë se në prill 2023, Komisioni Evropian njoftoi se Spanja do të jetë i vetmi vend në zonën Schengen që nuk do të zbatojë marrëveshjen në fjalë” .
Kërkesa e PP-së u regjistrua të martën, pasi Ministria e Punëve të Jashtme konfirmoi të dielën e kaluar se Spanja e pranon pasaportën e Kosovës si të vlefshme që nga 1 janari. Mirëpo, Qeveria saktësoi se kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton njohje nga Spanja të Republikës së Kosovës si shtet të pavarur.
Partia e udhëhequr nga Alberto Nunez Feijoo gjithashtu ka paraqitur në Dhomën e Ulët një sërë pyetjesh që qeveria e Pedro Sanchezit duhet t’i përgjigjet me shkrim, në të cilat ajo pyet se cila ishte arsyeja e marrjes së këtij vendimi dhe nëse i njëjti përfaqëson një “hap” drejt njohjes së Kosovës si shtet.
PP gjithashtu pyet nëse fakti që pasaporta kosovare tani është e vlefshme vjen për faktin se “atij po i bëhet presion apo po kushtëzohet nga partnerët e tij të koalicionit për të thyer qëndrimin e Spanjës të mbajtur që nga viti 2008”.
Në fund, ‘‘popullorët’’ pyesin se sa shtete që Spanja nuk i konsideron të pavarura lëshojnë pasaportat e tyre dhe pranohen nga autoritetet spanjolle, shkruan Klankosova.tv.
PP kritikon se, “edhe një herë”, siç ndodhi me mbështetjen për planin e Marokut për Saharanë Perëndimore, qeveria e Sanchezit ka modifikuar qëndrimin tradicional dhe spanjollëve u është dashur ta zbulojnë përmes mediave dhe rrjeteve sociale, “duke treguar përbuzjen e tyre për Parlamentin”.