Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me familjen e ngushtë të Enver Malokut në përvjetorin e vrasjes së tij shpalosën pllakatën me portretin e tij në selinë qendrore të LDK-së, përcjell InLajmi.
Lideri i LDK-së duke kujtuar vrasjen e Malokut 25 vite më par u shpreh se atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndërrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq.
Për më tepër Ai tha se Maloku ishte patrioti model i orëve më të rënda e bartësi i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci
Postimi i plotë i tij:
25 vjet më parë, në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë, Enver Maloku u qëllua pranë banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë.
Atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndrrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë. Patrioti model i orëve më të rënda e bartësi i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, u vra në moshën 45 vjeçare.
Sot, një çerek shekulli pas, me familjen e ngushtë Maloku, me zonjën Hava, Doruntinën e Drinin, në Selinë Qendrore të LDK-së shpalosëm pllakën e portretin përkujtimor të tij. Ky portret e kjo pllakë, e vendosur në Murin e Nderit, do të na qëndrojnë si shenja të rënda që na ekojnë përherë dhe në përditshmëri. Që na rikujtojnë rreshtin e gjatë të patriotëve të Lidhjes dhe vet Republikës, ëndrra fillestare e të cilëve na është bërë udhërrëfimi ynë sot. /InLajmi/