Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka thënë se vendimet e qeverisë Kurti së shpejti do ta dërgojnë vendin në zgjedhje.
Ai ka përmendur mungesën e zhvillimit ekonomik, mungesën e njohjeve ndërkombëtare, inflacionin dhe disa arsye tjera si arsye për zgjedhje të parakohshme.
“Jemi të konsoliduar dhe duke punuar me trupën elektorale dhe mendoj se PDK do të ketë ofertë shumë serioze në konsultim me ekspertë të fushave të caktuara, qytetarët dhe institucionet. Një parti institucionale si PDK-ja është përherë e gatshme, edhe pse unë jam ithtar që të krijojmë një stabilitet kushtetues me mandat të plotë, por rrethanat po tregojnë diçka tjetër”, ka deklaruar Beqa.
Ai ka thënë se shkelja kushtetuese dhe krijimi i një autonomie brenda Kosovës me rastin e nënshkrimit të Asociacionit, do t’i hapë dyer zgjedhjeve nacionale.
“Konsideroj që degradimi që iu ka bërë Republikës së Kosovës, në raport me statusin e Asociacionit, kryeministri Kurti do ta gjej një moment të duhur që të shkojë në zgjedhje”, ka theksuar Beqa për RTK-në.