1558 – Franca merr Pas-de-Calais, zotërimi i fundit i Anglisë në Evropën kontinentale. Rajoni ishte aneksuar nga Edward III i Anglisë në vitin 1347 dhe u rrit në një qendër për prodhimin e leshit. Banuar që nga koha parahistorike, rajoni Pas-de-Calais u popullua nga keltë, belgë, romakë, frankë dhe alemanë. Disa nga betejat më të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore u zhvilluan në Pas de Calais. Memoriali Vimy përkujton betejën e Vimy Ridge dhe është memoriali më i rëndësishëm i Kanadasë për të nderuar ushtarët e saj të rënë në Evropë. Gjatë Luftës së 2-të Botërore, Pas-de-Calais ishte gjithashtu në shënjestër të Operacionit Qëndresa, një plan i Forcave Aleate për të mashtruar Gjermaninë naziste se zbarkimi i tyre do të ndodhë këtu, dhe jo në Normandi.
1698 – Zjarri shkatërron qytetin Jamestown në koloninë britanike të Virginias. Kolonët e parë anglezë në Amerikë kishin mbërritur aty më 14 maj 1607, dhe fillimisht ndërtuan një fortesë prej druri dhe e quajtën James Fort. Rreth Fortesës u krijua Jamestown. Në vitin 1698, një zjarr aksidental shkatërroi ndërtesat e bashkisë, legjislaturës dhe të selisë së qeverisë të cilat pastaj u zhvendosën në një plantacion pak më në lindje – vendbanimi i ri shpejt u be qytet dhe mori emrin Williamsburg.
1797 – Flamuri modern italian u përdorur për herë të parë. Flamuri i përbërë nga 3 shirita me gjerësi të barabartë vertikal, 3-ngjyrësh; të bardhë, të kuq e të gjelbër, ku e bardha përfaqëson Alpet e mbuluar me dëborë; ngjyra e gjelbër përfaqëson fushat dhe kodrat e vendit; e kuqja, gjakun i derdhur në luftërat italiane për pavarësi. Një interpretim tjetër është se gjelbra përfaqëson shpresën; e bardha besimin, dhe e kuqja dashurinë hyjnore; Këto ngjyra, gjithashtu u referohen 3 virtyteve teologjike (besim, shpresë, bamiresi).
1887 – Thomas Stevens përfundon udhëtimin e pare rreth botës me biçikletë; kjo është një nga ato ngjarje kur njeriu i bën pyetje vetes – Vërtetë ka ndodhur? Thomas e filloi udhëtimin në prill 1884. Ai u nis me biçikletë nga San Francisko në Boston; me anije shkoi në Angli; përsëri me biçikletë; me anije e përsëri me biçikletë nëper Francë, Gjermani, Austri, Hungari dhe Ballkan; aty shlodhet mes njerëzve të cilët kishin dëgjuar për Amerikën; ata e pyesnin dhe ai u përgjigjej; priti pastaj derisa të arrinin njoftimet se rrugët ishin të lira nga banditët dhe me biçikletë kalon nëpër Anadoll, Armeni, Kurdistan, Irak, dhe Iran, ku e zë dimri dhe qëndron mysafir i Shahut. Kur moti u ngroh, Thomas mori një avullore në Konstandinopojë dhe prej andej në Indi; një tjetër avullore e çoi atë nga Kalkuta në Hong Kong dhe Kinën jugore; kalon me biçikletë në Kinën lindore, dhe merr anijen për në Japoni. Pjesa me biçikletë e udhëtimit të tij nëpër botë përfundon më 17 dhjetor 1886 në Yokohama. Thomas Stevens u kthye me anije në San Francisko në janar 1887. Gjatë gjithë udhëtimit ai dërgonte letra a raporte të hollësishme për revistën Harper; këto shkrime më pas u përmblodhën në një libër dy-vëllimesh prej rreth 1 mijë faqesh “Around the World with a bicycle”. Një kopje e botimit të pare të këtij libri sot kushton rreth 400 dollarë.
1919 – Luftëtarë malazezë kundërshtojnë aneksimin e planifikuar të Malit të Zi nga Serbia, por dështojnë. Kryengritja filloi ditën e Krishtlindjeve ortodokse sllave dhe hyri në histori si Rebelimi i Krishtlindjeve. Shumë familje dhe shtëpitë malazeze u shkatërruan, shumë separatistë u burgosën; përkrahësit e kryengritjes ikën në Itali apo dolën maleve, duke vazhduar një luftë guerile që zgjati deri në vitin 1929. Historianët thonë se për nxitjen e kryengritjeje, rol të rëndësishëm luajti edhe Italia, e cila ishte kundër bashkimit mes sllavëve të jugut.
1920 – Asambleja e shtetit të Nju Jorkut nuk lejon që 5 deputetë socialistë, të zgjedhur në mënyrë të rregullt, të zinin vendet e tyre në asamble.
1945 – Lufta e 2-të Botërore: General britanik Bernard Montgomery mban një konferencë shtypi ku pretendon fitoren në betejën e Bulges (në Francë). Deklarate tij shkaktoi zemërimin e amerikanëve që kishin luftuar në atë betejë duke lënë mijëra të vrarë e robër; general Montgomeri për pak sa nuk u shkarkua nga detyra. Gjenerali amerikan Omar Bradley u ankua ashpër tek komandanti i lartë i forcave aleate në Evropë, Dwight D. Eisenhower, dhe ky ia përcolli ankesat kryeministrit Çurçill. Më 18 janar, kryeministri britanik doli para Parlamentit në Londër dhe deklaroi se Beteja e Bulges kishte qenë një betejë amerikane dhe fitorja u takon amerikanëve.
1959 – Shtetet e Bashkuara njohin qeverinë e re kubane të Fidel Kastros. Megjithë këtë fillim premtues, marrëdhëniet mes Kubës dhe Shteteve të Bashkuara u përkeqësua thuajse menjëherë. Zyrtarët amerikanë kuptuan se Kastro ishte ushtruesi i vetëm i pushtetit në Kubë. Politika e tij në lidhje me shtetëzimin e pronave amerikane në Kubë dhe marrëdhëniet e ngushta ekonomike dhe politike me vendet komuniste i bindën zyrtarët amerikanë se regjimi i Kastros duhej rrëzuar. Më pak se 2 vjet më vonë, Shtetet e Bashkuara ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Havanën, dhe në prill 1961, ndërmorrën operacionin ushtarak kundër qeverisë së Kastros, por pa dobi – Operacioni i Gjirit të Derrave rezultoi në dështim të plotë për amerikanët.
1999 – SHBA – Senati fillon gjyqin ndaj Bill Klintonit, presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara, nën 2 akuza; dëshmi të rreme dhe pengim të drejtësisë. Senati e shpalli presidentin të pafajshëm më 12 shkurt 1999. Por thjesht gjykimi krijoi një ndjenjë të papëlqyeshme në publik; imazhi personal i Klintonit u dëmtua dhe nënpresidenti Al Gore u distancua prej tij, perçarje që ndihmoi kandidatin George W. Bush në fushatën presidenciale në vitin 2000.