Politikania Rada Trajkoviq është shprehur se Aleksandër Vuçiq ka korruptuar votuesit dhe se kjo tregon se shumica e serbëve nuk janë të përkushtuar fort ndaj asaj që është kombëtare, transmeton InLajmi.
“Me atë korrupsion të vogël social, që ndodhi në prag të zgjedhjeve të mëparshme, Vuçiq mund të marrë mbështetjen e shumicës për zbatimin e çdo projekti në dëm të shtetit të Serbisë. Ky është një rrezik i madh për ne, dhe nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare e sheh forcën numerike të Vuçiqit në këtë, d.m.th që përmes korrupsionit të njerëzve të varfër mund të realizohen të gjitha projektet që u përshtaten atyre, edhe pse ata nuk janë në interesi i popullit serb”, tha Trajkoviq për agjencinë Beta.
Sipas saj, shumica e banorëve të Serbisë janë varfëruar aq shumë sa kanë humbur një pjesë të dinjitetit të tyre.
“Për pensionistët dhe njerëzit që jetojnë në prag të ekzistencës, është më e rëndësishme të marrin 10 mijë dinarë ndihmë nga buxheti i Republikës, sesa fati i Kosovës. Është e pashpjegueshme që serbët nga Kosova, të cilët vuajnë pasojat e tmerrshme të politikës së gabuar të Vuçiqit dhe që e dinë se kush e vrau Oliver Ivanoviqin, të votojnë për ata për të cilët një popull dinjitoz nuk do të votonte kurrë. Thelbi i të gjitha problemeve tona është se aparati mafioz-korrupsion i Vuçiqit po blen votues”, theksoi Trajkoviq.
E pyetur nëse Qeveria e Serbisë do t’i njohë pasaportat e Republikës së Kosovës, Trajkoviq tha se Beogradi tashmë i ka njohur të gjitha dokumentet e Kosovës.
Edhe kur është pyetur nëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do t’i zbatojë të gjitha obligimet e pranuara me Marrëveshjen e Ohrit, Trajkoviq tha se ngjarjet tragjike në Banjskë nga 24 shtatori ia hoqën fuqinë e të folurit.
“Vuçiq vazhdimisht zbaton gjithçka që ka pranuar në Bruksel dhe Ohër. Pas ngjarjeve në Banjskë, ai humbi fuqinë e të folurit dhe bashkësia ndërkombëtare tani po e përdor për zbatimin e përshpejtuar të gjithçkaje që ai pranoi për njohjen de facto dhe de jure të pavarësisë së Kosovës”, tha Trajkoviq. /InLajmi/