Muzeu Arkeologjik Apoloni ndau online objektin e parë për këtë vit: një perëndi dhe shoqëruesen e saj.
Bëhet fjalë për objektin e njohur edhe si “Gjeniu i mirë me kornokopia”, ose perëndia e bollëkut, e gjetur në Apoloni. Objekti është i materialit gur gëlqeror, me përmasa: lartësia 55 cm, gjerësia 35 cm, trashësia 15 cm, dalja e relievit 5.5 cm te gjunjët, 7 cm te koka.
Në të majtë paraqitet një perëndi i ulur, i zhveshur, me një bark të fryrë, me kokë të madhe dhe me përmasa jo të rregullta. Në dorën e majtë mban një bri bollëku, ndërsa në të djathtë shoqëruesja e tij qëndron në këmbë dhe mban veshur një Hiton dhe Himationi.
Disa studiues i paraqesin si perëndi ilire të pjellorisë, Vidasus, Thana, të cilët shfaqen nga shek. III p. Kr deri në shek VI m. Kr. Të tjerë studiues e përmendin si “Gjeniu i mirë me Kornokopia” briri i bollëkut, shkruan ATSH.
Vepra daton në periudhën perandorake romake dhe është e ekspozuar në MAA.