Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka ngushëlluar familjen e dirigjentit të ndjerë, Bajar Berisha, duke thënë se ai ka lënë trashëgimi muzikore pas vetes dhe se humbja e tij s’është humbje veç për Kosovën por për gjithë botën e muzikës klasike.
“Jeta e pasur artistike e tij është përmbyllur, por trashëgimia që la pas, përmbledhur në dirigjimin e shumë orkestrave prestigjioze dhe angazhimi i tij si profesor e krijues, do të vazhdojë të frymojë në botën e muzikës”, thuhet në telegram ngushëllimi.
Tutje Çeku ka thënë se profesor Berishën do ta kujtojnë si “njeri të përkushtuar e modest”.
“Me karrierën e tij të pasur la gjurmë të ndritshme në skenën muzikore, duke drejtuar orkestra të njohura dhe duke u angazhuar si profesor në rritjen e brezit të ri artistik”, ka shkruar Çeku, shkruan RTK.
Berisha kishte qenë udhëheqës artistik-dirigjent i Orkestrës Simfonike të Prishtinës, dirigjoi edhe me Filarmoninë e Beogradit, me Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar Kroat të Zagrebit, Orkestrën “Camerata” të Prishtinës, Orkestrën dhe Korin e Fakultetit të Arteve.