Kosova pak nga pak po fiton më shumë njohje brenda Bashkimit Evropian, BE kështu shkruan e përditshmja spanjolle “El Periodico”, referuar vendimit të fundit për liberalizimin e vizave, që hyri në fuqi të hënën.
“Masa e re, e cila është zbatuar pas aktivizimit të sistemit të ri evropian të informacionit dhe autorizimit të udhëtimit, përcakton se kosovarët mund të hyjnë dhe të qëndrojnë maksimumi 90 ditë të rinovueshme pas 6 muajsh në vendet e bllokut. Një përparim për të cilin Prishtina kishte punuar që nga pavarësia e vetëshpallur në vitin 2008 me të cilën edhe u nda përfundimisht nga Serbia, gati 16 vjet më parë.
Kjo i jep fund anomalisë së Kosovës, një territor që vitin e kaluar paraqiti kandidaturën për të hyrë në BE, por që ishte edhe i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzonte këtë liri për sa i përket vendeve të zonës Shengen. Në këto rrethana, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar këtë të hënë në aeroportin e Prishtinës për të përshëndetur një nga grupet e para të udhëtarëve që janë nisur për në Vjenë”, shkruan gazeta spanjolle.
Tutje ajo përmend Spanjën si një nga shtetet mosnjohëse, dhe një nga vendet që nuk e ka kundërshtuar drejtpërdrejt masën, por ka mbajtur një qëndrim konfuz se si do ta menaxhojë vendimin e marrë.
Polemika me Spanjën
Nga ana tjetër, ajo që nuk ka marrë fund është polemika me Spanjën, një vend që nuk e ka kundërshtuar drejtpërdrejt masën, por ka mbajtur një qëndrim konfuz se si do ta menaxhojë vendimin e marrë. Prillin e kaluar, zëdhënësi i Drejtësisë i Komisionit Evropian, Christian Wigand, zbuloi se Spanja ishte i vetmi vend që kundërshtoi njohjen e “dokumenteve të udhëtimit të Kosovës”. “Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm me vizat e tyre në të gjitha vendet, përveç një vendi të Shengenit”, shtoi ai.
Lajmi është përshëndetur nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, spanjolli Josep Borrell. “Një vendim historik i BE-së hyn në fuqi. Qytetarët e Kosovës nga sot mund të udhëtojnë në hapësirën pa viza të BE-së. Kjo sjell përfitime të rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për BE-në,” shkroi Borrell në llogarinë e tij personale në X, dikur Twitter.
Edhe më euforik, Thijs Reuten, eurodeputeti holandez përshëndeti heqjen e regjimit të vizave duke thënë se “Kosova është Evropë”. “Më në fund! Pas viteve të vonesave totalisht të panevojshme, që nga sot, lirimi i vizave për udhëtim në BE është efektiv për të gjithë qytetarët e Kosovës. Hapi tjetër: procesimi i aplikimit për statusin e kandidatit”, komentoi Reuten, shkruan Reporteri.net
Vendimi vjen gjithashtu pasi, papritur, Serbia vendosi vetëm një javë më parë të lejojë automjetet me targa të Kosovës të hyjnë në atë vend, duke i dhënë fund kështu një krize që ishte përkeqësuar në 2 vitet e fundit, në momente kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq përballet me një situatë të re, valë protestash qytetare kundër tij, përfundon shkrimi i El Periodico.