Koreja e Veriut planifikon të lëshojë 3 satelitë të tjerë spiun vitin e ardhshëm.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave, kjo bëhet si pjesë e përpjekjeve për të rritur ushtrinë e saj.
Muajin e kaluar Pheniani vendosi një satelit spiun në hapësirë dhe pretendon se që nga ai moment ka fotografuar objektet kryesore ushtarake të SHBA dhe Koresë së Jugut.
Duke përcaktuar synimet e tij për vitin 2024, Kim Jong Un tha gjithashtu se marrëdhëniet e tij me Korenë e Jugut do të kishin “ndryshim themelor”.
Duke folur në një takim të fundvitit të Partisë së Punëtorëve të Koresë në pushtet, Kim deklaroi se bashkimi me Korenë e Jugut tani nuk ishte më i mundur, duke shtuar se Seuli e trajton vendin e tij si armik.
Marrëdhëniet mes 2 vendeve janë në gjendje të keqe. Muajin e kaluar, pas lëshimit të satelitit spiun, Pheniani bëri një marrëveshje me Seulin që kishte për qëllim uljen e tensioneve ushtarake.
Koreja e Veriut gjithashtu vazhdoi testet e rregullta të raketave të saj gjatë vitit 2023 dhe në fillim të këtij muaji gjuajti raketën e saj më të avancuar me rreze të gjatë, duke sfiduar kufizimet e OKB-së, shkruan Euronews.al.
Lëshimi i raketës balistike ndërkontinentale, e cila ka rreze veprimi për të arritur në kontinentin e Amerikës së Veriut, u dënua menjëherë nga Perëndimi. Ndërkohë Koreja e Veriut është e pakënaqur që Koreja e Jugut rrit bashkëpunimin e mbrojtjes me SHBA-në, pasi një nëndetëse amerikane e armatosur me armë bërthamore mbërriti në ujërat e saj.