Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, të mërkurën ka zhvilluar një konferencë për media gjatë së cilës kanë folur rreth punës së Kuvendit për vitin që lamë pas, raporton InLajmi.
Mimoza Kusari Lila, shefja e këtij grupi parlamentar e ka konsideruar legjislaturën aktuale si më të suksesshmen deri më tani, kjo edhe për shkak të numrit të ligjeve të miratuara.
“Me kënaqësi mund të ju them se deri me tani ne më pak se 3 vite jemi legjislatura më e suksesshme në Kosovë. Kuvendi i Kosovës ka mbajtur 52 seanca plenare, janë miratuar 71 ligje përkundër sfidave kemi arriturat që të hyjmë në reformë përmbajësore”, tha ajo.
Ndërkohë deputeti i LVV, Adnan Rrustemi u shpreh se pavarësisht sfidave të ndryshme kanë arritur të miratojnë ligje të shumta të cilat janë mjaft të rëndësishme për vendin.
“Përkundër çdo sfide dhe vështirësive që jemi përballur edhe si vend edhe si Kuvend GP i VV ka arritur që të shtyjë përpara ligje të ndryshme. Ligji për Byron Shtetërore për konfiskimin e pasurisë, Ligji për Prokurorin e shteti, ligjin për Institutin për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha Rrustemi.
Po ashtu gjatë konferencës u bë me dije se gjatë sesionit të vjeshtës 27 ligje dhe 5 marrëveshje ndërkombëtare janë miratuar, ndërkohë që në procedura janë edhe 45 ligje. /InLajmi/