Gjykata Kushtetuese ka vendosur lidhur me kërkesën e Avokatit të Popullit për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat në Sektorin Publik. Kjo pasi në adresë të këtij institucioni ishin dorëzuar 104 ankesa, me pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i zbritjes së nivelit të pagave. Për Gazetën Express, Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi IKD, Ehat Miftaraj, ka bërë një interpretim rreth vendimit të Kushtetueses.
Ligji për Pagat në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi më 5 shkurt të këtij viti, do të plotësohet dhe ndryshohet, meqë disa dispozita nuk janë në përputhmëri me Kushtetutën e Kosovës. Këto plotësim-ndryshime duhet të bëhen nga Kuvendi i Kosovës brenda 6 muajve nga data kur Aktgjykimi i Kushtetueses do të hyjë në fuqi.
Kështu ka vendosur Gjykata Kushtetuese lidhur me kërkesën e Avokatit të Popullit, për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji. Aktgjykimi i plotë nuk është publikuar ende, por një përmbledhje të tij e ka bërë vetë Kushtetuesja.
Bazuar në këtë përmbledhje, Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi IKD, Ehat Miftaraj, ka bërë një interpretim rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Miftarajt, personave të cilëve iu zvogëlua paga me hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave, do të vazhdojnë pafundësisht të marrin pagën që kanë pasur para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave.
“Kjo pasi Gjykata Kushtetuese ka anuluar paragrafin 2 të nenit 41 të Ligjit të Pagave, ashtu që të njëjtit do të vazhdojnë ta marrin shtesën transitore pafundësisht, deri në momentin kur rritja e koeficientit bënë që të arrihet/tejkalohet vlera e pagës paraprake”, ka deklaruar Miftaraj.
Me Aktgjykimin e Kushtetueses, shërbimi i jashtëm që ka qenë i përjashtuar edhe nga shtesa transitore, trajtohet njejtë sikurse para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kjo meqë dispozita që i përjashton ata nga shtesa tranzitore anulohet. Mirëpo, Miftaraj thotë se të njëjtit nuk kompensohen retroaktivisht për dëmet që u janë shkaktuar nga hyrja në fuqi e Ligjit e deri më tani.
Me Ligjin që aktualisht është në fuqi, gjykatësit dhe prokurorët e rinj të pranuar pas hyrjes në fuqi të ligjit për pagat pranojnë kompenzim me të vogël prej 400 deri në 600 euro në raport me kolegët e tyre, që janë pranuar në këtë pozitë para hyrjes së ligjit në fuqi.
Por, kjo do të ndryshojë me hyrjen në fuqi të Aktgjykimit të Kushtetueses.
“Personat që janë punësuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit, pranojnë pagën e njejtë sikurse kolegët e tyre. Të njëjtit nuk kompensohen retroaktivisht për dëmet që u janë shkaktuar nga hyrja në fuqi e Ligjit e deri më tani”, thotë Miftaraj.
Miftaraj thotë se sipas njoftimit të Kushtetueses, Kuvendi obligohet që ta adresojë dispozitën që e ul shpërblimin për përvojën e punës.
“Dispozita që e ul shpërblimin për përvojën e punës nga 0.5% në 0.25% për 15 vitet e para është në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo dispozitë nuk anulohet, por se obligohet Kuvendi që brenda 6 muajve ta adresoj këtë çështje. Ndërsa, efekti i aktgjykimit për këtë pjesë shtrihet nga data e publikimit të aktgjykimit”, sqaron Miftaraj.
Drejtori i IKD’së thotë se Gjykata Kushtetuese ruajti pavarësinë funksionale të sistemit të drejtësisë, me anulimin e dispozitave që i obligonin institucionet e sistemit të drejtësisë të kërkojnë miratim nga Ministria e Punëve të Brendshme me rastin e krijimit të funksioneve apo pozitave të reja.
“Gjykata theksoi se përcaktimi i shtesave nga institucionet e pavarura sipas nenit 2.3 . të Ligjit të Pagave, nuk kufizohen nga tavanet buxhetore sipas dispozitave lidhur me shtesat përkatëse. Sipas Gjykatës, Ligji për Paga dhe ligjet e tjera përcjellëse përmbajnë dispozita të cilat Qeverinë dhe Kuvendin e vendosin në pozitë shumë favorizuese në raport me institucionet e tjera. Në këtë rast, Gjykata nuk e ngarkoj Kuvendin me ndonjë obligim specifik, por theksoj se deri në miratimin e normave të reja, këto dispozita interpretohen në përputhje me Kushtetutën dhe këtë aktgjykim”, sqaron Miftaraj.
Lidhur me koeficientin, Miftaraj thotë se nënkuptohet se Kushtetuesja theksoi se koeficienti fillestar është koeficienti i përcaktuar me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023 dhe në asnjë rast koeficienti nuk mund të ulet, me përjashtim të ndonjë tronditje makroekonomike apo fatkeqësie natyrore.
Sipas Miftarajt, janë 2 çështje që janë anashkaluar nga Kushtetuesja.
“Një çështje që vlerësoj se i iku GjK në këtë rast, është çështja e shtesave pa orar të paracaktuar. Kjo shtesë, destinohet për zyrtarët të cilët nuk e kanë të njohur saktë orarin e tyre të punës. Por, sipas Ligjit të Pagave, kjo shtesë nuk i ipet secilit zyrtar publik që punon në këto rrethana, por vetëm zyrtarëve politik të kabineteve që punojnë në këto rrethana. Kjo çështje nuk trajtohet fare në njoftim, pra as nuk konfirmohet as nuk anulohet. Ka pak gjasë që aktgjykimi të përmbajë dispozita të cilat mbulojnë këtë çështje”, thotë ai.
Drejtori i IKD-së thotë se nuk adresohet në mënyrë adekuate as çështja e retroaktivitetit.
“Kjo pasi dëmtimi pasuror që u është krijuar të njëjtëve, për shkak të shkeljes së kushtetutës të konstatuar nga Gjykata, nuk do të kompensohet retroaktivisht, por efekti i aktgjykimit për këtë pjesë shtrihet nga momenti i publikimit të aktgjykimit”.
“Për dallim nga rasti paraprak i Ligji të Pagave, ndryshimi i argumenteve nuk mund të konsiderohet ndryshim i praktikës nga GjK. Nga njoftimi i publikuar duket se kjo ka derivuar si rezultat i ndryshimit të kahjes së trajtimit që GjK ia ka bërë Ligjit të Pagave. Më në detaje, ky aspekt do të analizohet me rastin e publikimit të aktgjykimit të plotë”, deklaron Miftaraj.
Si duhet vepruar tutje?
Miftaraj thotë se pagat duhet të vazhdojnë të ekzekutohen sikurse deri më tani, por se pagesa e shtesës tranzitore duhet të vazhdojë pafundësisht të paguhet deri në nivelin e pagës më të lartë që ka ekzistuar para 5 shkurtit, kur Ligji për Pagat në Sektorin Publik ka hyrë në fuqi.
“Pra, në vitin e 2, tanimë kjo shtesë nuk duhet të reduktohet”, sqaron Miftaraj.
Për pagat e shërbimit të jashtëm, ai thotë se duhet të jenë ato që kanë qenë para hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat.
“Sa i përket ekzekutimit të pagave, nga data e publikimit të aktgjykimit, pagat e shërbimit të jashtëm duhet të jenë ato që kanë qenë para hyrjes në fuqi të Ligjit, në rastet kur paga në atë kohë ka qenë më e lartë, apo të vazhdoj të paguhet sipas Ligjit të Pagave, nëse ka raste kur pjesëtarët e shërbimit të jashtëm nuk janë ndikuar negativisht nga hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave.”
Nga dita që Aktgjykimi i Kushtetueses hyn në fuqi, Miftaraj thotë se pagat e të punësuarve pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave duhet të balancohen me pagat e kolegëve të tyre.
“Brenda 6 muajve, Kuvendi duhet të miratojë ndryshimet që kanë të bëjnë me përvojën e punës. Sa i përket shtesave, institucionet e pavaruara sipas nenit 2.3. të Ligjit të Pagave nuk kufizohen nga tavanet buxhetore të vendosura në Ligjin e Pagave. Me rastin e krijimit të funksioneve apo pozitave të reja, institucionet e pavarura nuk duhet të kërkojnë miratim nga MPB”, deklaroi Miftaraj.