Gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë për këtë vit, kryeministri Albin Kurti ka folur rreth sukseseve të shënuara gjatë 2023, raporton InLajmi.
Gjatë fjalës së tij, Kurti u shpreh se në total gjatë vitit që po lëm pas janë mbajtur 62 mbledhje të Qeverisë në të cilat janë marrë 525 vendime. Sipas tij këto vendime kanë ndikuar në zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit.
“Jemi në javën e fundit të fundit të vitit, kjo është mbledhja e fundit e Qeverisë për këtë vit. Gjithsej me këtë të fundit i kemi mbajtur 62 mbledhje këtë vit. Përmes votimit janë miratuar 525 vendime, pa llogaritur këtu vendime që janë në rend dite sot e së bashku kemi dhënë pëlqimin për 63 emërime, mbështetjen për 16 konceptdokumente dhe pesë nisma legjislative. Përfitues ka qenë qytetari. Synimi ka qenë zhvillimi i vendit dhe fuqizimi i shtetit”, tha ai.
Më tutje Kurti theksoi se një nga sukseset e qeverisë gjatë këtij viti ishte ndihmesa financiare që i është dhënë kategorive të ndryshme si mjekëve në fillim të vitit dhe shtesave për fëmijët dhe pensionistët.
Gjithashtu ai foli edhe rreth subvencioneve të ndryshme që janë dhënë për sektorin privat të cilat kanë ndikuar në rritjen e rrogave për punëtorët.
“Në fillim të vitit ndamë shtesat për stafin shëndetësor dhe punëtorët e sektorit publik, kurse në fund të vitit ndamë shtesa për fëmijë nën moshën 16 vjeçare dhe për të gjithë pension marrësit. Ndërmjet këtyre morëm vendimin për pagesën për 590 specializantë me vetëfinancim dhe ndamë mjetet për t’i subvencionuar punëdhënësit e sektorit privat të cilët i rritën pagat për punëtorët e vet”, tha kryeministri.
Ndërkohë për sa i përket vendimit më të fundit të Serbisë për njohjen e targave, Kurti u shpreh se kjo është një manovër e Vuçiq për t’iu shmangur kritikave për parregullsitë gjatë zgjedhjeve në Serbi. /InLajmi/